Qeveria e Kosovës nuk do të ndryshojë qëndrim sa i përket rritjes së pagave për mësimdhënësit. Rritja të cilën e ka ofruar ditë më parë kryeministri Haradinaj, për punonjësit e arsimit, është rritja e fundit dhe nuk do të ketë ndryshime tjera, pavarësisht grevës.
Shefi i kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj, Avni Arifi ka deklaruar për “Gazeta Blic”, që vendimi i marrë disa ditë më parë për ngritjen e pagave për mësimdhënësit ka qenë vendim, dhe jo ofertë që të mund të bisedohet rreth saj.
“Vendimi që ka marrë Qeveria nuk ka qenë ofertë, por vendim. Nuk do të ketë bisedime. Ne ju kemi bërë ftesë që ta pranohet ky vendim dhe të mos i lejojnë fëmijët të mbesin nëpër shtëpi, përndryshe nuk do të ketë zhvillime”, ka potencuar ai.
Arifi, thotë që ka ndërhyrje politike tek sindikalistët dhe po ashtu abuzime me shumë punëtorë të arsimit.
“Ka ndërhyrje politike tek sindikalistët dhe ka abuzime me shumë punëtorë të arsimit. Që po ju thonë rrini në grevë sepse Qeveria do të ndryshojë qëndrim. E keqja më e madha është që Qeveria nuk do të ndërrojë vendim kjo është maksimumi që ka mundur të bëjë dhe këtu përfundon çdo gjë”, tha ai.
Ndërkohë, greva në arsim ka filluar që nga 14 janari. SBASHK-u ka njoftuar se do të vazhdohet me grevë deri në realizimin e kërkesave të tyre, që parashohin ngritjen e koeficienteve më së paku 30 për qind nga çerdhet e deri në universitet.
Ditë më parë, ata kanë refuzuar edhe ofertën e kryeministrit Haradinajt për ngritjen e pagave, madje ata e kanë cilësuar këtë ofertë të mangët.
Kundër grevës në arsim, janë shprehur edhe njohësit e arsimit. Ata kanë deklaruar kjo do të ndikojë negativisht tek nxënësit dhe që një dëm i tillë, është vështirë të riparohet.