Pozitë e opozitë, pajtohen që institucionet nuk kanë punuar aq sa duhet për të përmbushur kriteret e vendosura nga Bashkimi Evropian për liberalizim vizash për Kosovën përgjatë këtij viti.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, njëherit dhe anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane, thotë që nuk është optimiste se kosovarët do të lëvizin lirshëm në Bashkimin Evropian këtë vit. Njëjtë mendon edhe deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, sipas të cilit vizat mund të liberalizohen vetëm me vendim politik të BE’së.
Kollçaku për Periskopin thotë se institucionet e Republikës së Kosovës nuk kanë punuar në luftimin e krimit të krimit dhe korrupsionit, si një prej kushteve kryesore të vendosura nga Bashkimi Evropian për liberalizim të vizave.
“Tashmë po tregohet që kushti kryesor për liberalizimin e vizave ka qenë luftimi i krimit dhe korrupsionit. Dhe unë konsideroj që në këtë moment ky kusht është i pa kapërcyeshëm për Kosovën. Kjo qeveri nuk po bien prova që ka vullnet politik, që ta luftoj krimin dhe korrupsionin, por përkundrazi po jep prova për të kundërtën”, ka deklaruar Kollçaku në një prononcim për Periskopin.
Sipas saj, Kosova mund të marrë vlerësim pozitiv sa i përket liberalizimit të vizave, vetëm nëse Bashkimi Evropian e largon si kusht, luftimin e krimit dhe korrupsionit.
“Nëse Evropa i mbyllë sytë para faktit që në Kosovë nuk ka vullnet politik që të luftohet kjo dukuri negative që në fakt është një kancer metastazik”, ka thënë ajo.
Por nëse mbetet ai kusht, Kollçaku thotë që liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë as këtë vit.
“Nëse bazohet mospërmbushjen e këtij kriteri, në fakt kryesor, atëherë për këtë vit nuk ka gjasa që të ndodh liberalizimi i vizave. Në fakt nëse vazhdon me këtë trend qeveria aktuale, por do të kalojnë edhe vite tjera pa u përmbushur këtë kriter. Prandaj mbetet të shihet që Bashkësia Evropiane që ta hek si kusht këtë dhe ta bëjë liberalizimin, apo në fakt kjo qeveri do ta kuptoj që pa u kthy kah vetja, pa e luftu korrupsionin brenda radhëve të veta. Nëse ky do të jetë kushti kryesor, atëherë nuk jemi optimist”, ka deklaruar ajo.
Megjithatë ajo thotë se pritet të shihet se çfarë do të ndërmarrin zyrtarët e BE-së.
“Është një kusht që së paku të jepen prova, që ka filluar puna në atë drejtim. Varet edhe nga zyrtarët e BE-së nëse do ta bëjnë ndonjë lëshim në këtë drejtim, dhe atëherë do ta shohim se çfarë do të ndodh”, ka përfunduar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje.
E deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, thotë që vendimi për vizat është kryekëput politik.
“Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën është kryekëput çështje politike. Nuk është çështje që varet në përmbushjen e kritereve që i ka parashtruara Bashkimi Evropian. Sepse kriteret nuk I ka plotësuar as Ukraina, as Moldavia,. Kriteret për më hy në BE, edhe 1000 vjet nuk i kish plotësuar Rumania. Këto janë vendime politike”, ka thënë Zeka.
Ai shprehet optimist se BE-ja do të liberalizojë vizat për kosovarët, jo për faktin se institucionet kanë punuar që të arrihet një gjë e tillë, por për atë që BE-ja nuk dëshiron t’i mbajë të izoluar kosovarët.
“Në bazë të këtij vendimi politik, për ta zvogëluar influence ruse në Ballkan, shpresoj që BE-ja do ta jap dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave për Kosovën. Jo që ne kemi punuar si shtet I Kosovës, ose si shoqëri civile, ose si Qeveri e Parlament, ose si parti politike. Asnjëri prej këtyre faktorëve nuk I ka bërë argat shtetit të Kosovës, me thanë që kemi bërë diçka për liberalizimin e vizave për Kosovën. Por thjeshtë Evropa nuk dëshiron me i mbajt 2 milion shqiptarë të izoluar në kafaz të kopshtit zoologjik. Dhe kjo më bënë mua optimist që BE-ja do të votojë pro liberalizimit të vizave”, ka përfunduar Zeka, i cili njëherit është edhe anëtare i Komisionit për Integrime Evropiane.
Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës, pohon se ka shanca që liberalizimi të bëhet në vitin 2018, por kjo sipas tij mund të ndodh vetëm nëse Kosova merr vlerësim pozitiv nga BE-ja, dhe nëse përmbushet kushti kryesor i luftimit të krimit dhe korrupsionit.
“Thëne shkurt, viti 2018 jo domosdoshmërish mund të jetë viti i liberalizimit të vizave, edhe pse ka shanca teorike dhe reale për një gjë te tille. A do te ndodhe një gjë e tillë, tani varet direkt nga lobimi i Kosovës dhe ajo se a mund t’i bindim evropianet qe 1.7 milion banoret e Kosovës nuk do ta destabilizojnë BE-ne e as nuk do ta ndikojnë rezultatin e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian. Normalisht, kjo mund te ndodhë tek pasi të marrim vlerësim pozitiv se e kemi luftuar korrupsionin ne mënyrën e duhur!”, është shprehur Murati.
Nesër dhe pasnesër do te vendoset shume për fatin e shteteve te Ballkanit dhe integrimit të tyre në BE, përfshi këtu procesin e liberalizimit te vizave për Kosovën.
“Me 28 dhe 29 qershor do të mbahet samiti i radhës i BE-së, ku marrin pjesë liderët e shteteve anëtare. Paraprakisht, General Affairs Council, i cili koordinon punën e Këshillit Evropian, ka mbajtur takim ne Luksemburg dje, ku ka diskutuar disa nga heshtjet kryesore sa i përket Ballkanit Perëndimor.
Sa i përket Kosovës, ne baze te takimit te djeshëm, ka shume mundësi që çështja e vizave te mos diskutohet deri pas zgjedhjeve te reja për parlamentin Evropian, qe mbahen në maj te vitit 2019, dhe kjo kryekëput për arsye politike”, ka përfunduar Murati.