Analisti politik, Adri Nurellari, ka thënë se ka një ndërgjegjësim dhe revoltim të popullit shqiptar pas arrestimit dhe dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova javën e kaluar, dhe se orientimi gjeopolitik i shqiptarëve mbetet i palëkundur, njofton Klan Kosova.
“Në asnjë mënyrë nuk doja të shfajësoja apo relativizoja shkeljen që është bërë me këtë akt, ku janë privuar nga të drejtat bazike këta qytetarë turq”, tha Nurellari në Zonën e Debatit në Klan Kosova.
“Këtu ka një mosrespektim të të drejtave të njeriut dhe moszbatim të ligjit në fuqi në Kosovë”, tha ai, duke shtuar se nuk duhet ikur as nga përgjegjësia politike.
Sipas tij, kjo kërkon një investigim të brendshëm për të parë se a janë përmbushur në proces e sipër të drejtat e qytetarëve turq, apo nëse janë shkelur, atëherë nga kush është bërë kjo.
Megjithatë, Nurellari e konsideron leksion pozitiv dhe pjekuri politike kolektive të shoqërisë shqiptare, reagimin e tyre pas kësaj ngjarjeje.
“E shikoj një lloj leksioni pozitiv në kuptimin që ka një revoltim. Në rastin e Shqipërisë nuk ka pasur një revoltë”.
“Ka një ndërgjegjësim, kjo tregon që ka një ndërgjegje kolektive këtu. Një lloj empatie”.
“Kemi një lloj pjekurie politike kolektive të shoqërisë, që nuk e lë lehtë të kalojë kjo çështje”.
Ai megjithatë, pavarësisht këtij rasti, thotë se orientimi gjeopolitik i shqiptarëve mbetet i palëkundur .
“Nuk e vë në pikëpyetje orientimin tonë gjeopolitik”.
“Orientimi ynë gjeopolitik është i palëkundur”.



