Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka përkujtuar sot 20 vjetorin e sulmit të dytë të forcave serbe mbi familjen e tij.
Jashari, së bashku me stafin e Komunës së Skenderajt dhe Shoqatat e dala nga lufta, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz.
Ai përmes një postimi në rrjete sociale shkruan:
Përkujtimi i 22 janarit 1998, sulmit të dytë mbi Familjen Jashari
Sot po përkujtojmë 22 janarin e vitit 1998, po përkujtojmë trimërinë, heroizmin dhe rezistencën e pa lëkundur të një Familje ndaj makinerisë okupuese serbe .
Në mëngjesin e hershëm të 22 janarit, njësitë elite policore serbe të armatosura, kishin lëvizur nga Fabrika e Municionit dhe Gjuetisë drejt Familjes Jashari.
Sepse shërbimi sekret serb, me kohë kishte identifikuar pikat e rezistencës, duke shënuar si pikën më të rrezikshme Kullën e Jasharëve në Prekaz.
Pikërisht për arsyen se Trimat e Jasharajve ishin të betuar për t’u flijuar për atëdhe, dhe asnjëherë për të mos lejuar sundimin e pushtuesit.
Ky sulm nuk ishte sulmi i parë për Familjen Jashari! Por, as i fundit!
Sepse Jasharët tashmë kishin përjetuar sulmin e parë, dhe forcat okupuese ishin të njoftuara me rezistencën e pa thyer nga Familja Jashari, kjo rezistencë e pa thyer do të vazhdonte edhe me 22 janar 1998, sepse të pa thyer do të mbeten gjithmonë.
Kjo datë njihet si rrethimi i dytë i forcave okupuese mbi Familjen Jashari, pra sot po bëhen dy dekada nga sulmi dytë i forcave pushtuese serbe në Familjen Jashari.
Cilat ishin detajet e 22 janarit 1998?
Dy dekada më parë pikërisht me këtë datë Adem Jashari, nuk ndodhej në shtëpi, por forcave okupuese serbe që kishin cak këtë Familje, i’u dolën në rezistencë Shaban dhe Hamëz Jashari së bashku me nipa e mbesa.
Pas disa orë luftime dhe rezistencë, forcat pushtuese detyrohen të tërhiqen, ashtu siq u tërhoqën në sulmin e parë, kokë ulur, madje tashmë ishte hera e dytë që po humbëshin betejën.
Në vendosshmëri për të mos lejuar armikun të shkelë në këtë tokë, gjatë këtij sulmi kishin mbetur të plagosura Selvete Jashari, vajza e Hamzës, e cila pas marsit të përjetësisë do të bëhej dëshmore dhe Ilirjana Jashari, vajza e Rifatit.
Sulmet mbi Familjen Jashari nuk do të ndaleshin! Do të vazhdonin përsëri me 5,6 dhe 7 mars, për të shënuar gjurmë unike dhe të pa shlyera përjetësisht.
Lavdi e përjetshme heronjëve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit! /Drenica Press/