Ish-drejtori i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka përfunduar sot mandatin e tij si drejtor në kabinetin e Shpend Ahmetit. Ai nuk do të jetë pjesë e qeverisjes së re të Ahmetit.
Në Facebook, Durmishi ka publikuar një njoftim për dorëzimin e detyrës, ku shkruan se 4 vitet në qeverisjen Ahmeti i ka kaluar me shumë punë e angazhim. Por, emri i kryetarit Shpend Ahmeti nuk përmendet askund në këtë shkrim të tij, përderisa punët e kryera ia dedikon vetes si suksese.
Durmishi sukses e konsideron edhe takimin me qytetarë dhe thotë se ka takuar 50 mijë prej tyre. Sipas disa përllogaritjeve të thjeshta matematikore, i bie se Durmishi ka takuar rreth 34 qytetarë në ditë gjatë 4 viteve të kaluara, përfshirë ditët e pushimit.
Ky është njoftimi i plotë i Durmishit:
Sot e dorzova detyrën në komunën e Prishtinës. I kalova 4 vite me shumë punë e angazhim. Gjatë këtyre 4 viteve nuk kam kursyer asgjë duke u munduar që sadopak të ndikoj në përmirësimin e infrastrukturës në komunën e Prishtinës. Duke e marrur parasysh buxhetin e limituar dhe pengesat me të cilat jemi ballafaquar besoj që kemi arritur rezultate të dukshme. Për 4 vite kemi shtruar afër 400 km rrugë, shumë km kanalizime, trotuare e shumë projekte tjera. Jam shumë i lumtur për takimet e shumta me qytetarë dhe pritjet që i kam bërë për ta në zyren time. Komunikimi me ta më ka mundësuar që shumë më leht të vendos për prioritetet e investimeve. Pra i lumtur jam se qytetarët i kam bërë pjesë të vendimmarrjes. Për 4 vite në drejtorinë time i kam takuar afër 50 mijë qytetarë. Nuk besoj që ka ndonjë zyre në Kosovë që ka takuar kaq shumë qytetarë.
I falëndëroj të gjithë ata me të cilët kam bashkëpunuar në sukseset e drejtorisë. I falënderoj të gjithë ata qytetarë të cilët më kanë ndihmuar shumë. I falëndëroj të gjithë ata aktivistë e aktiviste tē cilët më kanë ndihmuar e përkrahur. I falënderoj edhe stafin me të cilët kam punuar. Në të njëjtën kohë ju kërkoj falje të gjithëve nëse ndonjëherë nuk jam sjellur si duhet.
Qytetarë të Prishtinës ju dua shumë dhe ju dëshiroj gjithë të mirat. Qeverisjes në Prishtinë ju dëshiroj shumë suksese.