Nga sot fillon regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit, ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
Elezi thekson ditur se votuesit jashtë vendit do të kenë mundësi që të regjistrohen deri më 17 maj.
Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 7 qershor, ndërkaq votimi në përfaqësi diplomatike organizohet më 6 qershor.
“Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës do të fillojë nga dita e sotme 6 maj dhe do të përfundojë më 17 maj. Pra, gjatë kësaj periudhe 12 ditore të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, për të votuar qoftë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike apo për të votuar përmes postës. Në momentin e regjistrimit, aplikuesi mund të përzgjedhë individualisht mënyrën se si dëshiron të votojë në këtë proces zgjedhor”, deklaroi ai.
Përveç këtij procesi, Elezi ka njoftuar se nga sot votuesit kanë 12 ditë kohë për të ndërruar qendrën e tyre të votimit.
“Gjithashtu gjatë ditës së sotme, 6 maj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mundësojë ndërrimin e qendrës së votimit për votuesit brenda një komune të caktuar. Pra, gjatë kësaj periudhe nga data 6 maj deri më datë 17 maj për 12 ditë me radhë të gjithë votuesit mund të konfirmojnë adresën e tyre se ku janë të caktuar të votojnë më 7 qershor. Por, nëse duan, është në vullnetin e tyre që ta ndryshojnë atë brenda komunës përkatëse ku ata janë caktuar si votues”, shton ai.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi thekson se votuesit mund të konfirmojnë ose kundërshtojnë listën votuese.
“Duke filluar nga data 6 maj deri më 18 maj, për 13 ditë me radhë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mundësojë konfirmimin dhe kundërshtimin e listës votuese. Pra, gjatë kësaj periudhe çdo person i cili është pjesë e listës votuese, mund të kundërshtojë pasaktësitë e kësaj liste. Qoftë për caktim të gabuar në ndonjë qendër të votimit, por gjithashtu gjatë kësaj kohe sa zhvillohet kjo periudhë zgjedhore, votuesi mund të kundërshtojë edhe pasaktësitë në listën votuese për emrin e ndonjë personi, për të cilin pretendon se nuk mund të figurojë në këtë listë, qoftë edhe për faktin se është i vdekur”, përfundon ai.
Nga data 1 maj deri më 7 maj, subjektet politike kanë kohë që të njoftojnë KQZ-në për pjesëmarrje ose jo në procesin zgjedhor, apo të bëjnë deklarimin se do të garojnë si pjesë e ndonjë koalicioni.