Nazim Thaçi, vëllai i Presidentit Thaçi, është kapur me armë në brez dhe nën ndikim të alkoolit, gjatë një kontrolli policor, te rrethi në dalje të Prishtinës. Thaçi në momentin kur është ndaluar nga policia e trafikut nuk ka pasur as patentë shoferi e as leje për armë. Por, kjo nuk e ka penguar që të jetë i ashpër me policinë duke u thënë: “Nuk e dini kush jam unë”
Gazeta Express ka siguruar një raport ku tregohet përplasja e Nazimit me Policinë. Në momentin kur është ndalur ai ka treguar se ka një armë në brez të tipit HS kalibri 9x19mm – pas pyetjes së policisë nëse ka diçka ilegale me vete.
Vëllai i Presidentit, Nazim, i kishte thënë policisë se e posedon lejen e armës, mirëpo nuk e kishte me vete, teksa iu tha “Nuk e dini kush jam unë, se me ditë se kush jam unë, nuk më kishit ndalë fare”. Po ashtu, ai nuk ka pasur as patentë shoferi.
Polici në detyrë, që nuk mori asnjë dokument të identitetit të tij, e shoqëroi atë në automjetin zyrtar në stacion, e kështu më pas e lejoi edhe të bëjë thirrje telefonike, me ç’rast t’i sillen dokumentet e lejes së armës, të cilat Nazimi tha se i posedonte.
Gjatë rrugës për në stacion policor, vëllai i Hashim Thaçit kishte kërcënuar policinë me fjalët: “Unë jam vëllau i Hashim Thaçit dhe nesër në mëngjes kam me shku në zyre të Shpend Maxhunit dhe kam me e njoftu që të marrë masa ndaj jush për arsye se ju e keni ndalë vëllain e Presidentit pa arsye”.
Sipas dokumentit që Gazeta Express posedon, thuhet se Nazimi e ka pranuar se kishte konsumuar alkool, kur u pyet nga patrulla e policisë për një gjë të tillë.
Dokumenti thotë se pas 30 minutave, djali i Nazimi i ka sjellë letërnjoftimin, patentë shoferin dhe lejen e armës.
Ndalesa e Nazim Thaçit u bë në orën 01:00 më datën 11.11.2016 te rrethi në dalje të Prishtinës.
Vetura me të cilën u ndal Nazimi nuk ishte e tij, por ishte në pronësi të një personi tjetër, ndërsa i njëjti nuk pati asnjë dokument, pos librezën e veturës. /GazetaExpress/