Profili i politikanit fetar
Shkruan Abdullah Klinaku
Të jesh fetar dhe politikan apo të merresh me politik është sfidë shumë e madhe. Sidomos në një ambient politik siq është Kosova në të cilen politika dhe politikani janë kategori mjaft të neveritshme. Krejt kjo si rezultat i shembullit të keq të politikanëve. Përveç kësaj fetari politikan është në fokus të atakimit e etiketimit si islam politik. Në Kosovë, politikanët fetar në masë të madhe janë të orientuar te partitë që përpjekën të mbrojnë dhe të promovojnë vlerat fetare e tradicionale. Madje partitë e tilla sipas disave quhen edhe parti fetare apo parti që përfaqësojnë islamin politik.
Realisht, politikani fetar është apo të themi më drejtë do të duhej të ishte modeli më i mirë i politikanit dhe sfida kryesore e çdo profili tjetër politik. Krejt kjo për shkak të vlerave të tij etike, morale, profesionale, tradicionale, kombëtare e fetare. Politikani fetar do të duhej ta paraqiste rrezikun më të madh në garën politike me çdo parti dhe kandidat tjetër. Mos hajnia, jo korruptimi, fjala e mirë, e drejtë, e vërtetë, puna e ndershme dhe e sinqert do të duhej të ishin karakteristikat e politikanit fetar. Por ç’është e vërteta politikani fetar nuk po arrin as të jetë model e as të sfidojë politikanët jo fetar. Sot fetari realisht është para sfidës të merret me politik apo jo?! Krej kjo ka ardhur si rezultat i shijes të idhët që kanë lënë në përgjithësi politikanët dhe në veçanti formësimi i qëllimshëm i imazhit jo të mirë të politikanit fetar.
Formimi i imazhit negativ për politikanin fetar, jam shumë i bindur që nuk është rastësi. Kjo është një rrugë e planifikuar prej dorës së zezë e që politikanët fetar me naivitet janë duke ju nënshtruar këtij projekti dhe duke e realizuar një agjendë të tillë me vetëdije apo pa vetëdije. Nëse dikur të merresh me politik brenda një subjekti me sfond të fetarëve ishte privilegj aq sa edhe përgjegjësi sot është shëndërruar në sfidë shumë të madhe. Kjo barrë nuk vjen si rezultat i projektit politik por si rezultat i bartësve të këtyre projekteve politike.
Sot, si rezultat i një pune afatgjate për të prishur imazhin e politikanit fetar ka humbur besimi i qytetarëve edhe në ta. Për këtë kanë kontribuar fillimisht vet fetarët që merren me politik, mediat dhe shërbimet e ndryshme. Përderisa përcjell debatet dhe lexon këtë imazh, sot kemi dy ose tre modele si prezantues negativ të politikanit fetar.
Një profil politik të një fetari kanë arritur ta formësojnë dhe ta paraqesin si servil e gjynahqar ndaj pushtetit, si të nënshtrueshëm pa asnjë kriter e kusht ndaj partive në pushtet, si përçarës, përjashtues e largues nga partia dhe mbi të gjitha kanë arritur ta njollosin me hajni. Ky profil politikani fetar shkakton neveri dhe aversion tek qytetarët e vendit tonë. Një politikan me cilësi negative sikur ato më lartë nuk dallon asgjë nga politikani jo fetar apo kundër fetar. Përderisa shumica dërrmuese e cilësive janë të përbashkëta, pse qytetarët të mendojnë ndryshe për politikanin fetar.
Nga ana tjetër përpjeken të formojnë një profil tjetër të një politikni fetar. Profil me mendime më të ndjeshme apo ashtu siq e cilësuan ata që më së paku na duhen për vlerësimin e fetarëve si “njeri pa pikë edukate”, lexohet qartë si përpjekje për të prishur imazhin e politikanit fetar.
Ky pasqyrim i politikanit fetar është dëmtim i madh i imazhit të politikanëve fetar tani por edhe në të ardhmen. Njerëzve nuk do tu kthehet besimi aq shpejtë se politikani fetar nuk është si asnjëri nga këto imazhe sa mund ti kemi sot. Politikani fetar duhet të mendojë e të reflektojë çdo qast se nëse ai bëhet shkaktar që njerëzit ta shajnë edhe fenë si rezultat i sjelljeve të tij është me përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe para popullit e mbi të gjitha para Zotit.
Duhet të mendojmë dhe të reflektojmë thellësisht dhe sinqerisht që të ndryshojmë sjelljen tonë dhe si politikan fetar ose duhet të jemi shembull ose duhet të tërhiqemi që të shpëtojmë identitetin tonë. Fetarët që mirren me politik duhet të jenë të vendosur dhe të sjellin modelin e njeriut dhe politikanit të mirë ose do ti sjellin besimtarët tek lutjet që thanë dijetarë të ndryshëm duke “kërkuar mbrojtje te Zoti prej të keqes dhe prej politikes”.
Autori është nënkryetar i Partisë së Drejtësisë dhe drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi në Komunën e Vushtrrisë.