Anëtarët e klubit Rotaract Ilyrian rastësisht kishin dëgjuar se protezat e tilla protetike kanë çmime marramendëse dhe, nga kureshtja për të parë çmimin e saktë në Kosovë, ata e kishin kuptuar se vetëm një protezë e thjesht e mban çmimin rreth 700 euro, shifër e cila mund të arrijë deri në mijëra euro, varësisht nga kualiteti i protezës.
Shkruan: Besfort Berisha
Megjithatë, çmimin e njëjtë nuk e kishte një protezë e cila mund të printohej me printerin 3D, por çmimi ishte dukshëm më i lirë, varësisht nga shpenzimet e materialit të cilat ndryshojnë nga madhësia, shkruan Telegrafi.
Dora protetike 3D përbëhet kryesisht nga plastika, e cila është organike, nuk shkakton ndonjë alergji në lëkurë dhe nuk nevojitet ndërhyrje kirurgjike për të.
Këto të dhëna kishin bërë që anëtarët e Rotaract Club Illyrian, organizatë e të rinjve të angazhuar pa rezervë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës, të fillonin ndërtimin e një proteze 3D, e cila, sipas statistikave, do t’ua lehtësonte jetën mbi 150 personave në nevojë në Kosovë.
Fillimisht, për të realizuar prototipin, nga ana financiare ishte përkujdesur klubi “Rotary Prishtina International”, e pastaj prototipi ishte printuar në Universitetin Amerikan të Kosovës (AUK).
Gjatë printimit në AUK
Organizata në veçanti e falënderon edhe qendrën e BONEVET në Gjakovë, të cilët kishin ofruar ndihmën dhe hapësirën për vazhdimin e këtij projekti mbresëlënës.
Një protezë e tillë funksionon duke u lidhur në kyçin e dorës, ndërsa kur lëviz kyçi i dorës, proteza me anë të disa penjve hyn në funksionon dhe e mundëson lëvizjen e dorës. Pra, kjo është e gjitha mekanike dhe nuk ka nevojë për ndërhyrje kirurgjike.
Pasi është normale të keni dyshime se si mund të funksionojë një protezë kaq lehtë, vlen të ceket se ekspertët ndërkombëtarë, përveç që e mbështesin idenë, kanë dalë edhe me disa statistika që shpjegojnë se proteza e printuar në 3D është më e bukur në pamje dhe kryen disa funksione që i ndihmojnë një personi në jetën e përditshme, krahasuar me protezat estetike të cilat janë të palëvizshme.
Pra, proteza e printuar është më e mirë, sepse personave në nevojë ju mundëson të kryejnë funksione të ndryshme (përveç që është lëvizëse, proteza mund të mbaj edhe gjëra të ndryshme, si: lodra, celularin etj.) dhe proteza nuk është aspak e rrezikshme sepse materiali i plastikës është krejtësisht organik.
Proteza është rezistente ndaj ujit, por assesi nuk duhet të ketë kontakt me ujin e nxehtë të vluar mbi 100 gradë sepse mund ta zbusë plastikën dhe ta deformoi atë. Sidoqoftë, proteza nuk i ka problem temperaturat e larta ditore.
Sa i përket peshës së protezës, kjo varet kryesisht nga madhësia e protezës dhe dizajnit. Një protezë e madhësisë normale mund të peshojë nga 200 gram deri në 600 gram.

Qëllimi i këtij projekti nga Rotaract Illyrian është t’ju ndihmojnë personave që kanë nevojë për proteza të tilla, kryesisht për shkak se për qytetarët e Kosovës proteza mund të jetë e papërballueshme financiarisht, dhe këta nuk i kanë në shitje, por qëllimi i tyre është t’i dhurojnë për personat në Kosovë që kanë nevojë për një protezë të tillë lëvizëse.
Klubi së shpejti do t’ia dhurojë një protezë të tillë një vajze 7 vjeçare nga Prishtina, e cila është në nevojë për të.
Për të përcjellë punën e klubit dhe për të kontaktuar me ta, vetëm vizitojeni faqen e tyre zyrtare në Facebook.




