Ballina“The Guardian” jep alarmin: Shqipëria të përgatitet për katastrofa natyrore

“The Guardian” jep alarmin: Shqipëria të përgatitet për katastrofa natyrore

Gazeta britanike “The Guardian” i ka kushtuar një vëmendje të veçantë dëmeve që po i vijnë Ballkanit nga ndërtimi i hidrocentraleve në lumenj. Për rastin e Shqipërisë, merren në analizë dëmet e shkaktuara në lumin Vjosa.

Shkrimi i “The Guardian” me shkurtime:

Kryeministri Edi Rama, duke folur për “The Guardian” thotë se në gjashtë muajt e parë në detyrë nuk kishte ditë që dikush të mos e telefononte apo t’i dërgonte e-mail nga Shqipëria, Evropa apo Amerika me subjekt: Jemi të interesuar për ndërtimin e hidrocentraleve. “Damiani (Ministri i Energjisë) ishte tronditur. Më tha ‘çfarë është kjo?’ Të gjithë duan të ndërtojnë hidrocentrale këtu. Duket se nëse do të përsërisim gabimin e bërë me ndërtimet pa leje, në fund nuk do të kemi ujë për vaditje”, u shpreh Rama.

Tetë të tilla pritet të ndërtohen në lumin Vjosa nga kompanitë e huaja. Qeveria e re duket se po i reziston kësaj rruge. Vitin e kaluar, investimet e huaja në hidrocentrale përbënin thuajse 10% të Prodhimit të Përgjithshëm të vendit.

Në Ballkan, “RiverWatch” thotë se ka evidentuar 435 raste të dëmtimit të lumenjve nga hidrocentralet. Sipas një dokumenti të “The Guardian”, nga këto licenca në Shqipëria ka pasur investime me vlerë mbi 1.8 miliardë sterlina. “RiverWatch” ka ngritur shqetësim se shumë prej këtyre hidrocentraleve në Ballkan po ndërtohen në parqe kombëtare dhe zona të mbrojtura.

Në Shqipëri, 1/3 e energjisë importohet, por pjesa tjetër vjen nga hidrocentralet, që sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë klasifikohet si energji e rinovueshme. Por ambientalistët ngrenë pikëpyetje për këtë, duke kërkuar që të quhet “energji e pastër”.

Shqipëria i shikon hidrocentralet e reja si burim i pavarur energjie dhe “një burim i mirë për importin e energjisë”, thotë Gjiknuri. Por, 42 për qind e energjisë elektrike në vend humbet gjatë shpërndarjes për shkak të vjedhjeve. Ministri i Energjisë ka lënë pezull një numër projektesh që kishin marrë leje vitin e kaluar, por thotë se duart i kanë të lidhura për shkak se kjo largon investimet e huaja.

Janë anuluar më shumë se 200 projekte të kohës së Berishës, të cilat Edi Rama i lidh me “tregun e zi të korrupsionit… një çmenduri”. Por, Shqipëria do të ecë në rrugën mes ruajtjes së bukurisë dhe nevojave ekonomike, thotë Rama.

Rama është ish-artist që ngjyrosi ndërtesat e erës staliniste të Tiranës me ngjyra të shumëllojshme. Ambientalistët e shohin atë si aleat natyral, por jep përshtypjen se nuk ka fuqinë e plotë për t’i kthyer të gjitha planet që ai i përbuz. Kryeministri thotë se i ka kërkuar Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim të financojë nisma të vogla për prodhimin agrokulturor, por “ata janë më shumë të interesuar për hidrocentralet”.

Një prej këtyre hidrocentraleve që ka shkaktuar dëme është ai i Kalivaçit. Pemët ndanë lumit dhe ato për rreth janë prerë që prej nisjes së punimeve. Bëhet fjalë për gjashtë hektarë pyll.

Këtë fat mund të kenë edhe pjesë të tjera të lumit të Vjosës. Ulrih Aikëlman, drejtor i “RiverWatch” – OJF me bazë në Austri – thotë se Vjosa është lumë i veçantë në Evropë, pasi nuk ka tjetër që transporton në det sedimente me një sistem të balancuar. Sipas tij, Vjosa është jashtëzakonisht e rëndësishme për modelin sesi lumenjtë duhet të rikthehen në Evropë.

Deri në vitin 2027, plani i Evropës për ujërat kërkon që të gjitha vendet të kenë ujëra me status të mirë ekologjik. Ironikisht, Maqedonia dhe Shqipëria për të plotësuar aspiratën për të hyrë në BE duhet të kthejnë efektet e bumit të investimeve nga hidrocentralet. Shqipëria shpreson të anëtarësohet në BE deri në vitin 2020, por ajo ka ende një sistem të dobët energjetik dhe nuk është ende gati për t’u integruar në Evropë.

Rama thotë se duhet një investim i madh për të mbrojtur lumenjtë nga degradimi mjedisor. Por, së fundmi zyrtarët e BE-së kanë shtyrë më shumë Tiranën në luftën e kanabisit sesa mbrojtjen e ujërave. Shqipëria vuajti pasojat e dëmtimit të ekosistemit në fillim të këtij muaji kur përjetoi përmbytjen e dytë më të madhe në histori. Nëse dëmtimet në lumenj do të vazhdojnë, do të ketë një katastrofë ekologjike jo vetëm për biodiversitetin, por edhe për tokën.

- Advertisement -