BallinaJeton Sadiku, bletari më i mirë në rajonin e Mitrovicës ...

Jeton Sadiku, bletari më i mirë në rajonin e Mitrovicës

 

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka përshëndetur Kuvendin e Shoqatës së Bletarëve “Poleni”, duke i inkurajuar për punë dhe afarizëm, ndërkohë që ka premtuar rritje të subvencioneve dhe mbështetje për bujqësinë e fermerët dhe bletarëve në veçanti.
“Çdo njeri që punon dhe kontribuon për familjen e vet është një njeri i respektueshëm. Ndonëse sapo mbërrita nga udhëtimi zyrtar, jam këtu për tu njohur me punën, angazhimin dhe hallet me të cilat përballeni, si dhe për të ju  njoftuar se komuna, sikurse në vitin që shkoi, do ju mbështes edhe këtë vit në punën tuaj. Madje, sivjet do ketë më shumë mundësi për mbështetje, pasi kemi ndarë buxhet më të madh për fermerët, andaj ju punoni sikurse deri më tash, ndërsa ne do ju mbështesim”, tha kryetari Agim Bahtiri.
Drejtuesit e Shoqatës “Poleni”, kanë shpërblyer me mirënjohje për mbështetje dhe kontributin e dhënë kryetarin Agim Bahtiri dhe Drejtorin e Drejtorisë së Bujqësisë Veton Rexha.
Gjatë këtij takimi shoqata “Poleni” ka përzgjedhur bletarin më të mirë të vitit 2014, e që është Jeton Sadiku nga Shupkovci, Sadiku  që ka 116 shoqëri bletësh ka shënuar rezultate të mira, duke u shpërblyer edhe në panaire të ndryshme brenda edhe jashtë vendit.
Me mirënjohje për punë dhe suksese si bletarë, janë shpërblyer edhe Faik Hajdari, njëri nga themeluesit e shoqatës dhe bletar shumë i suksesshëm, Muhamedin Sahatçiu, Muharrem Jakupi nga Çabra, Jahja Kutllovci nga Pirqi dhe Isa Xhemajli nga Boletini.
Kryetari i shoqatës, Sabri Haziri, tha se  me gjithë vështirësitë dhe kushtet  jo të favorshme klimatike, në vitin që shkoi bletaria në Mitrovicës ka shënuar suksese,  pasi që janë shtuar shoqëritë bletare dhe bletarët, sikurse edhe mbështetja komunale dhe pjesëmarrja në panaire dhe organizimi i tyre.
Abedin Rrustemaj, bletar dhe ligjërues në shoqatë, ka mbajtur një ligjëratë lidhur me planin e punës për vitin 2015 si dhe ka folur për obligimet dhe punët  që duhet të bëhen nga muaji në muaj në shoqëritë bletare.