Sot janë bërë 27 vite nga Masakra e Studimes në Vushtrri ku mbetën të vrarë 116 civilë shqiptarë.
Me këtë rast është organizuar një Akademi Përkujtimore, ku morën pjesë familjarë, qytetarë e krerë institucionesh.
Familjarët e të vrarëve kanë kërkuar drejtësi për krimet që shteti serb ka bërë ndaj banorëve të Studimes.
Elhame Xhafa përkujton 2 majin e vitit 1999 si natë të tmerrshme ku u rrethuan nga ushtarët dhe policët serbë në mbrëmje dhe si pasojë mbetën të vrarë burri i saj dhe vëllai i saj.
“Më 2 maj, në orën 10 të natës, këtu na kanë rrethue në të tëra anët, na kanë malltretuar, na kanë rrehë, ma kanë vra burrin, ma kanë vra vllaun. Kena nejt në mal tri ditë pa hangër e pa pi”, tha Elhame Xhafa.
Sami Gërxhaliu, vëlla i dëshmorit Fatmir Gërxhaliu, ka kritikuar institucionet për të cilat tha se duhet të bëjnë me shumë dhe jo të shfrytëzohen këto ngjarje për vota.
“Këtu është një masakër shumë e madhe që kanë kaluar 27 vjet, ende nuk ka asnjë, asnjë i dënuar deri sot për këtë masakër. Kështu që i lutem institucioneve t’i japin pak rëndësi kësaj pune. Deri tash, ata kur është puna me ardh për vota, vijnë edhe na i shohim këtu. Si të kalon kjo, absolutisht asnjë nuk merret me këtë punë. Po, ka dëshmitarë, shumë ka dëshmitarë. Kanë dhënë deklarata po ende nuk ka asgjë për këtë punë”, tha Gërxhaliu.
Bahrije Gërxhaliu, gruaja e dëshmorit Imer Gërxhaliu, tregon se ka qenë bashkë me bashkëshortin kur i njëjti i është vrarë nga forcat serbe. Veç tij, Bahrijes i është vrarë edhe kunati, si dhe djali i axhës.
“Edhe pse kanë kaluar 27 vite, dhimbja për neve është e freskët po si atë ditë. Unë këtu kam humb bashkëshortin Imer Gërxhaliun, kam humb kunatin Skënder Gërxhaliun, kam humb të afërmit e burrit edhe djalin e axhës, Ismajl Kokova. Kam qenë prezente me bashkëshortin edhe kur është vra, edhe ka qëndruar dy orë e gjysmë i plagosur. Ky krim ka qenë i organizuar me datën 16 prill që na kanë bllokuar nga fshati Studime e Ulët edhe na kanë tërhequr me u ngjit në Studime e Epërme. Këtu kemi qëndruar deri natën e 2 majit, natën e 2 majit qysh ditën prej Shalës popullata veç ka vërshuar fshatin Ceceli, Studime, këtu ka qenë një popullatë e hatashme edhe me rënien e muzgut ata veç kanë mbërritur edhe kanë filluar, ata e kanë pas të planifikuar këtë gjenocid me bë. Është shumë e rëndë kur të lënë me pesë fëmijë, më i madhi 11 vjet e gjysmë e më e vogla 2 vjet e 6 muaj, saqë ata nuk kanë zgjedhur edhe fëmijën 2 vjet e 6 muaj ma kanë marrë nga prehri edhe kanë bë krim”, tha Gërxhaliu.
Ajo tha se barra kryesore që e bartin si familje është që askush nuk ka dalë para drejtësisë për këto krime edhe pse thotë se vetë ka dëshmuar për to.
“Edhe sot 27 vjet pas, çka është barra më e rëndë për ne si familjarë, është që ende askush nuk ka dalë para drejtësisë, nuk është ulur në bankën e të akuzuarve për këto krime që i kanë bë. Ndoshta është masakra më e madhe në Kosovë që ka ndodhur. Brenda dy orëve janë vra 116 civilë të paarmatosur, të pambrojtur, vetëm pse kanë qenë shqiptarë. Të gjithë kanë qenë me familjet e tyre, të gjithë kanë qenë të një moshe ku ndoshta më i moshuari është 50 vjet, prej 50 vjet e teposhtë, krejt djem të rinj, djem të shkolluar. Kjo ka qenë e planifikuar prej barbarisë serbe”, tha Bahrije Gërxhaliu.