Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i ka cilësuar të panevojshme dhe të pahijshme në këtë periudhë emërimet e fundit të zëvendësministrave nga kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Në një deklaratë për media të shtunën, Haradinaj ka thënë se, ndonëse këto emërime nuk janë domosdoshmërisht në kundërshtim me ligjin, ato nuk janë të hijshme, sidomos në prag të zgjedhjeve.
“Me ligj nuk e di që është keq, por është e pahijshme tash dhe e panevojshme realisht. Nuk e shoh pse duhet të ndodhë në këtë mënyrë tani. Janë shpallur zgjedhjet dhe janë vetëm rreth 40 ditë deri në votim, prandaj këto veprime nuk duken mirë”, deklaroi Haradinaj.
Ai shtoi se në këtë fazë, fokusi i Qeverisë duhet të jetë në përmbushjen e detyrave ekzistuese, e jo në emërime të reja.
Duke folur për zgjedhjet e ardhshme dhe përgatitjet e AAK-së, Haradinaj theksoi se partia është e gatshme për garë, pavarësisht proceseve të brendshme.
Sipas tij, listës zgjedhore të AAK-së do t’i prijë Ardian Gjini, i cili është kandidati i tyre për kryeministër.
“Ne jemi vazhdimisht në terren, pranë strukturave dhe votuesve, dhe besojmë në sukses. Ardian Gjini është një figurë politike me përvojë dhe aktualisht një shembull i mirë i qeverisjes si kryetar i Gjakovës”, u shpreh Haradinaj.
Gjatë ditës së djeshme, Zyra e Kryeministrit njoftoi për emërimin e tre zëvendësministrave. Kritika për këtë pati edhe nga PDK-ja e LDK-ja.