Profesori Mazllum Baraliu, në një lidhje direkte në FIVE në RTV Dukagjini, ka folur për Kushtetutën e Republikës së Kosovës në 18-vjetorin e miratimit të saj.
Ai ka thënë se Kushtetuta ka nevojë për plotësim.
“Patjetër që ka nevojë sepse është Kushtetutë derivative. Kushtetutë e cila ka zanafillën e saj nga një propozim plan që është quajtur ‘Plani i Ahtisarit’, të gjithë qytetarët e dinë dhe që natyrisht se ka pasur interesa të ndryshme të involvuara në përpilimin e saj dhe mbi të gjitha përmbushjen e standardeve ndër më të lartat në Evropë për komunitetet pakicë”.
Ai shtoi se natyra e Kushtetutës ka mangësi që nga preambula e deri te dispozitat e saj.
“Natyra e saj është e tillë që nga Preambula, e cila është e mangët dhe do të duhej të plotësohej, e deri te çdo dispozitë tjetër në fund të saj. Koha ka treguar për këto vite, përkundër rëndësisë historike që ka dhe përkundër kontributit nga Gjykata Kushtetuese që është dhënë me vendimet, gjegjësisht aktgjykimet e saj, por jo të gjitha sepse ka pasur edhe të tilla që nuk i kanë përmbushur interesimin e qytetarëve dhe vullnetin e tyre. Por sidoqoftë, ka nevojë dhe ka nevojë jo vetëm të plotësohet e ndryshohet, por ndoshta edhe të rishkruhet”, ka thënë ai./Indeksonline/