15 zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës kanë përfunduar trajnimin gjashtëmujor në Danimarkë dhe janë certifikuar në një ceremoni të mbajtur në Kopenhagë.
Në këtë ceremoni morën pjesë zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ridvan Hoti, kryeinspektori Muamer Bikliqi, ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Peter Hummelgaard, drejtoresha e Shërbimit Danez të Burgjeve, Ina Eliasen, si dhe përfaqësues institucionalë nga të dy shtetet.
Sipas njoftimit nga institucioni, gjatë ceremonisë,ministri danez i Drejtësisë, Peter Hummelgaard, uroi zyrtarët korrektues për përfundimin e trajnimit dhe tha se ky projekt mbetet prioritet i lartë në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke paralajmëruar edhe trajnime për grupe të tjera në të ardhmen.
Ndërkaq, drejtoresha e Shërbimit Danez të Burgjeve, Ina Eliasen, theksoi se trajnimi i zyrtarëve nga Kosova është thelbësor për përgatitjet para vënies në funksion të burgut, duke vlerësuar suksesin e grupit të parë dhe bashkëpunimin e treguar gjatë gjithë procesit.
“Trajnimi mbi sistemin korrektues danez zgjati gjashtë muaj, ku zyrtarët tanë korrektues treguan përkushtim, disiplinë dhe profesionalizëm të lartë në çdo fazë. Falë angazhimit të tyre, ata arritën të zotërojnë njohuri dhe praktika të avancuara që forcojnë kapacitetet e Shërbimit Korrektues të Kosovës”, vazhdon njoftimi.