Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka dënuar një sulm “demonstrativ dhe cinik” mbi një pallat banimi në Kharkiv gjatë natës, duke argumentuar se Rusia “nuk duhet të shpërblehet” për luftën e saj ndaj vendit të tij.
Në një postim në X, udhëheqësi ukrainas thotë se Rusia është e vetëdijshme se një takim për të përfunduar luftën po zhvillohet sot në Washington – e Rusia po sulmon këtë mëngjes rajonet e Kharkiv, Zaporizhzhia, Sumy dhe Odesa.
“Makineria e luftës ruse vazhdon të shkatërrojë jetë pavarësisht gjithçkaje. Putin do të kryejë vrasje demonstrative për të mbajtur presion mbi Ukrainën dhe Evropën, si dhe për të poshtëruar përpjekjet diplomatike,” shkruan ai.
“Pikërisht për këtë arsye po kërkojmë ndihmë për t’i vënë një fund vrasjeve. Për këtë arsye kërkohen garanci të besueshme sigurie. Për këtë arsye Rusia nuk duhet të shpërblehet për pjesëmarrjen e saj në këtë luftë.”