Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka reaguar ndaj deklaratave të ish- komandantit të UÇK-së në Koshare, Naser Vllasit (Kobrës), shkruan Gazeta Blic.
Vllasi, në një intervistë në RTV Dukagjini tha se Xhavit Haliti ushtarëve jo shumë mirë të përgatitur për luftë, u rekomandonte të shkonin për stërvitje në bazat e Ministrisë së Mbrojtjes (FARK)
“Vetë Xhaviti e ka konfirmuar që ushtarët që nuk janë të përgatitur duhet të shkojnë në bazat e Ministrisë së Mbrojtjes [FARK]. Ata janë ushtarakët që kanë disa baza në territorin e Shqipërisë dhe bëjnë përgatitjen e njësiteve që më pas futen në Kosovë”, tha Vllasi.
E për këtë, Haliti për Gazetën Blic tha se nëse ata kanë profesionalizuar ushtarë për luftë, ata e kanë kryer detyrën e tyre ndaj atdheut.
“Unë s’kam qenë ushtar asnjëherë. Nëse ata kanë profesionalizuar ushtarë për të luftuar në Kosovë, e kanë kryer detyrën ndaj atdheut“, tha shkurt Haliti.
Ndryshe, Vllasi ka treguar në ngjarje interesante ku protagonistë kishte qenë Xhavit Haliti.
“Në vitin 1998 në Kosovë vinin ushtarë nga të gjitha anët. Një mërgimtar kishte ardhur me 18 mijë marka gjermane, me qëllim ta ndihmojë ndonjë njësit ushtarak. Xhaviti Haliti i ka thënë se ai kishte mundësi që të rrezikojë dhe të futet në Kosovë, ose të shkojë në bazat ushtarake që ekzistonin në Shqipëri”, tha ai.
“Kobra” tha se Ahmet Krasniqi kishte pasur marrëveshje me Xhavit Halitin dhe Bardhyl Mahmutin, por thotë se në terren situata ishte ndryshe.
“Kur është dashur që Xhavit Haliti dhe Bardhyl Mahmuti të jenë prezentë në bazat e Ministrisë së Mbrojtjes i kanë ikur [Ahmet Krasniqit]”, tha Vllasi./Gazeta Blic