Xabi Alonso bëri një ndryshim në rutinën para-ndeshjes së Real Madrid.
Alonso theu një traditë të Carlo Ancelottit përpara se të drejtonte ndeshjen e tij të parë në La Liga si trajner i Real Madrid.
Ai e zëvendësoi Ancelottin këtë verë dhe drejtoi Realin në Kupën e Botës për Klube në Shtetet e Bashkuara.
Gjigantët spanjollë arritën deri në gjysmëfinale, ku u eliminuan nga Paris Saint-Germain, që fitoi me rezultat të thellë 4-0.
Alonso më pas zhvilloi një ndeshje përgatitore për sezonin 2025/26, duke mposhtur ekipin austriak WSG Tirol me rezultat 4-0.

Reali e hapi fushatën e La Ligas me një ndeshje në shtëpi kundër Osasunës të martën.
Duke folur përpara ndeshjes së parë të sezonit të ri, 43-vjeçari tha se skuadra e tij po bën përparime dhe po merr hapat e duhur.
“Po bëjmë përparime. Është e vështirë ta vlerësosh nivelin, nuk ka një matës të saktë për këtë, por po ecim në drejtimin e duhur,” tha ai.
“Jam i sigurt se ende kemi rrugë për të bërë, por gjërat kryesore, bazat, u prezantuan që në Kupën e Botës për Klube dhe tani kemi shkuar pak më thellë gjatë dy javëve të fundit. Nga këtu, duhet vetëm të vazhdojmë, ndjesia në klub është pozitive.”
Alonso shpalli formacionin e tij përballë Osasunës pak para fillimit të ndeshjes, duke aktivizuar që nga minuta e parë blerjet e reja të verës: Trent Alexander-Arnold, Dean Huijsen dhe Alvaro Carreras.
Lajmet e formacionit u publikuan rreth 70 minuta para fillimit, në kontrast me mënyrën e Carlo Ancelottit, i cili i shpallte formacionet dy orë përpara ndeshjes, sipas Marca.
Alonso ka ndryshuar rutinën para-ndeshjes së Realit, duke shënuar kështu fillimin e një epoke të re.

Legjenda e mesfushës, i cili kaloi pesë sezone te Real Madrid si lojtar pas transferimit nga Liverpool në verën e vitit 2009, është i emocionuar për projektin e ri, por refuzoi të bëjë premtime për tifozët.
“Unë e preferoj më shumë të bëj gjëra sesa t’i them ato – dhënia e premtimeve përpara se të arrish diçka zakonisht nuk funksionon në futboll,” shpjegoi ai.
“Po punojmë fort dhe njerëzit janë të entuziazmuar, kjo ndjehet. Edhe ne jemi të etur, mezi presim ta fillojmë këtë projekt të ri, me lojtarë të rinj, trajner të ri, duke sjellë energji të re në stadium. Duhet ta fitojmë këtë me meritë, dhe duam ta nisim që nesër për të shkuar aty ku dëshirojmë të jemi në maj.” /GazetaExpress/