Takimi mes kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe liderit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka përfunduar para më shumë se gjysmë ore.
Ky takim raportohet se zgjati mbi dy orë, duket se shënon një lëvizje serioze drejt arritjes së një marrëveshjeje për zhbllokimin e skenës politike, transmeton lajmi.net
Burime të klankosovës kanë bërë të ditur se temë qendrore e diskutimit ishte gjetja e një formule për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa – sipas këtyre burimeve – pozita e kryetarit të Kuvendit nuk ka qenë fare pjesë e diskutimit.
Gjithashtu, mësohet se mund të ketë edhe një takim tjetër mes Kurtit dhe Limajt, i cili, nëse realizohet, pritet të jetë finalizues për një marrëveshje të mundshme.
Në sfond të këtyre zhvillimeve, Lajmi.net ka tentuar të marrë informacione zyrtare nga të dy partitë, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk ka marrë asnjë përgjigje nga përfaqësuesit e Vetëvendosjes apo të Nismës.
Kjo mungesë transparence ka lënë qytetarët dhe publikun në një terr të plotë informativ, duke krijuar një boshllëk që deri tani po mbushet vetëm nga raportimet e mediave që kanë arritur të sigurojnë detaje përmes burimeve jozyrtare.
Në mungesë të qëndrimeve publike nga palët e përfshira, mbetet të shihet nëse takimi i radhës – nëse ndodh – do të prodhojë rezultate konkrete dhe do të sjellë zhbllokimin e ngërçit institucional që po mban pezull vendin prej javësh.
Seanca e 50-të për konstituimin e Kuvendit është caktuar për të hënën në ora 11:00. Sytë janë tashmë te ajo datë./lajmi.net/