Shabani për rastin Zekaj: Ministria kërkoi mbrojtjen e interesit të fëmijës
Drejtori i Departamentit në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës, Blerim Shabani, ka raportuar para Komisionit Hetimor lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, ku ka folur për kompetencat e ministrisë në mbikëqyrjen e Qendrave për Punë Sociale, mekanizmat e reagimit ndaj shkeljeve ligjore, inspektimet në komuna dhe veprimet e ndërmarra nga departamenti në rastin konkret.
Gjatë dëshmisë së tij, Shabani ka shpjeguar se mbikëqyrja profesionale e ofruesve të shërbimeve sociale dhe familjare është e përcaktuar me nenin 70 të Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare, ndërsa kompetencat e njësisë së inspektimit përcaktohen me nenet 72 dhe 73 të këtij ligji.
“Meqenëse pyetja ishte shumë specifike, po i referohem në përgjigje në mënyrë shumë specifike. Konkretisht, neni 70 i Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare 08/255 përcakton kompetencën për mbikëqyrjen profesionale të ofruesve të shërbimeve sociale dhe familjare. Ligji i Shërbimeve Sociale dhe Familjare, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2024, i përcakton ofrues të shërbimeve institucionet publike, organizatat joqeveritare dhe personat fizikë dhe juridikë. Pra, të drejtë kanë të ofrojnë shërbime të gjitha këto kategori, me kushtin që këto t’i plotësojnë kushtet, kriteret dhe të licencohen në përputhje me përcaktimet ligjore dhe nënligjore që i ka përcaktuar ligjvënësi. Mbikëqyrja profesionale në këtë nen përcaktohet në dy nivele: komuna përmes qendrës, përmes zyrtarëve përgjegjës për ofrimin e shërbimeve dhe realizimin e të drejtave; ministria përmes zyrtarit përgjegjës në kuptimin e respektimit të standardeve dhe harmonizimit të tyre me cilësinë e shërbimeve për përfitues që realizojnë të drejta nga legjislacioni ynë i caktuar. Dhe nuk është vetëm një ligj, por janë disa ligje. Normalisht, nenet 72 dhe 73 përcaktojnë kompetenca të njësisë së inspektimit, që është një strukturë brenda ministrisë, e cila përkujdeset për inspektime në mënyrë që të respektohet ligjshmëria, respektimi i standardeve dhe parimet e etikës së punës nga punonjësit profesionalë dhe të nxjerrë rekomandime për dy nivele, më saktë për kryetarët e komunave dhe ministrinë, kur është në pyetje respektimi i ligjshmërisë dhe përmbushja e detyrimeve karshi legjislacionit që ju përcakton detyrime këtyre dy niveleve”, ka deklaruar Shabani.
I pyetur nëse ministria dhe departamenti kanë sistem të paralajmërimit të hershëm për rastet kur Qendrat për Punë Sociale nuk i përmbushin detyrat e tyre ligjore apo kur paraqiten mangësi në menaxhimin e rasteve të mbrojtjes së familjes, Shabani ka thënë se ekzistojnë disa mekanizma institucionalë dhe profesionalë për identifikimin dhe trajtimin e këtyre rasteve.
Sipas tij, mbikëqyrja profesionale realizohet edhe sipas detyrës zyrtare të profesionistëve të departamentit, të cilët reagojnë kur vërejnë se ofrimi i shërbimeve nuk është në përputhje me standardet dhe ligjshmërinë.
“Shikoni, ka disa lloj mekanizmash në nivel të institucioneve. Po flas në nivelin praktik profesional të departamentit, sepse nuk po flas për grupe ndërministrore, mekanizma të tjerë të cilat i përcakton edhe legjislacioni tjetër. Fillimisht, ky koncept i mbikëqyrjes profesionale realizohet sipas detyrës zyrtare të profesionistëve të departamentit, të cilët vënë në dijeni që ka ndonjë situatë shqetësuese apo mbarëvajtja e procesit të ofrimit të shërbimeve nuk është në përputhje me standardet dhe me ligjshmërinë. Aty reagohet në mënyrë që të kërkohen shpjegime nga ofruesi i shërbimeve dhe të ofrohen udhëzime që ato të harmonizohen me kërkesat ligjore dhe normalisht me të drejtat e personit që është përfitues i shërbimeve sociale dhe familjare, sepse të drejtat e përfitimit të shërbimeve i përcaktojnë nenet e veçanta, siç është neni 29 dhe 31 i Ligjit të Shërbimeve Sociale, dhe përcaktojnë këto modalitete për realizimin e këtyre të drejtave. Normalisht, kur sipas detyrës zyrtare ministria, gjegjësisht departamenti, vihet në dijeni që ka edhe karakter të shkeljeve ligjore dhe tejkalim të autorizimeve apo mosveprime që janë në ndeshje me ligjin, kërkohen autorizime të njësisë së inspektimit për të kryer inspektime të jashtëzakonshme, e cila pastaj, në përputhje me nenin 72-73 dhe në përputhje me dispozita të caktuara të Ligjit për Inspektime të Përgjithshme, merr veprime, kryen inspektimin e shkresave të lëndës, merr në pyetje të gjithë zyrtarët përgjegjës në procesin e menaxhimit të rastit, menaxherët e institucionit dhe normalisht, në bazë të gjetjeve, nxjerr konkluzione dhe jep rekomandime nga nivelet përgjegjëse për ekzekutim të masave”, ka shtuar Shabani.
Gjatë raportimit, Shabani ka saktësuar se në kuadër të departamentit ekziston Divizioni për Inspektimin e Shërbimeve Sociale dhe Familjare, i cili harton planin e inspektimeve të zakonshme dhe kryen inspektime të jashtëzakonshme kur paraqitet nevoja.
Ai ka potencuar se inspektimet nuk përqendrohen vetëm në Qendrat për Punë Sociale, por edhe në organizatat joqeveritare dhe sektorin privat që ofrojnë shërbime sociale.
Lexo edheMbi gjysmë toni marihuanë dhe armë të rënda në Suharekë, ngritet aktakuzë ndaj tre personave
“Në kuadër të departamentit ekziston Divizioni për Inspektim të Shërbimeve Sociale dhe Familjare, që është një strukturë përbërëse e departamentit, i cili në fillim vjen e harton një plan të inspektimeve të zakonshme, sepse ne inspektimet e jashtëzakonshme nuk mund të parashikohen. Dhe kryesisht i vë në fokus edhe inspektimin e organizatave joqeveritare dhe të sektorit privat, përveç QPS-ve. Aktualisht, do të thotë, inspektimet e jashtëzakonshme, përveç Pejës, janë duke u kryer edhe tri të tjera: në Gjilan, në Kamenicë dhe në Lipjan. Dhe gjithashtu është kryer edhe një i mëhershëm në Lipjan, për rastin tashmë të njohur dhe publik, në rastin e fëmijëve. Të tjerat janë të zakonshme, të cilat bëhen në bazë të planit dinamik të miratuar, për t’u përkujdesur që këta ofrues të shërbimeve, organizatat joqeveritare dhe sektori privat, i përmbushin standardet dhe detyrimet karshi legjislacionit dhe kërkesave”, ka deklaruar Shabani.
Duke folur për rastin konkret të Arlinda Zekajt, Shabani ka deklaruar se zyrtarët e departamentit, në kuadër të mbikëqyrjes profesionale dhe sipas detyrës zyrtare, kanë komunikuar përmes email-eve me kërkesë për ndërmarrjen e veprimeve për mbrojtjen e interesit të fëmijës.
Ai ka theksuar se komunikimet elektronike ekzistojnë dhe se ato përbëjnë veprimet e ndërmarra nga departamenti në kuadër të mandatit të tij ligjor.
“Po ashtu, zyrtarët tanë, sipas detyrës zyrtare dhe në përputhje me mbikëqyrjen profesionale, kemi edhe email-at e caktuar, të cilët kanë kërkuar ndërmarrjen e veprimeve për mbrojtjen e interesit të fëmijës, në përputhje me mandatin ligjor të organit të kujdestarisë, gjegjësisht Qendrës për Punë Sociale. Email-at janë, komunikimet janë, ekzistojnë dhe këto kanë qenë veprimet të cilat janë ndërmarrë prej departamentit”, shtoi.
Sa i përket çështjes së ankesës, Shabani ka sqaruar se ajo ishte bazuar në një veprim të datës 10, në një kohë kur rasti, sipas tij, ende nuk ishte hapur zyrtarisht në Qendrën për Punë Sociale në Pejë.
“Sa i përket çështjes së ankesës, ankesa është bazuar në një veprim të caktuar të datës 10, në të cilin rasti nuk ka qenë ende i hapur zyrtarisht në Qendrën e Punës Sociale në Pejë”, ka thënë Shabani.



