Vuçiq konfirmon dorëheqjen më 27 shtator – thotë se do të flasë paraprakisht me Putinin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar se do të largohet nga posti i presidentit më 27 shtator, pas kthimit nga Nju-Jorku, ku po merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Lajmin e bëri të ditur gjatë një prononcimi për gazetarët në Nju-Jork, duke paralajmëruar se të dielën në mbrëmje do t’i drejtohet publikut për të shpjeguar vendimin.
Vuçiq ka thënë se pas dorëheqjes do të marrë pjesë në fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare si qytetar i zakonshëm. Zgjedhjet janë caktuar të mbahen më 25 tetor, pasi presidenti serb shpërndau Kuvendin dhe shpalli zgjedhjet e parakohshme më 9 shtator.
Ai ka deklaruar gjithashtu se synon të kandidojë për postin e kryeministrit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Reuters raportoi më herët këtë muaj se Vuçiq kishte bërë të ditur synimin për të garuar për këtë post, në një kohë kur Serbia po përballet me protesta të vazhdueshme të udhëhequra nga studentët.

Lexo edheKapet me marihuanë në Vërmicë, arrestohet shtetasi i vendit fqinj
Pas largimit të Vuçiqit nga presidenca, detyrën e ushtruesit të detyrës së presidentit pritet ta marrë kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, deri në zgjedhjen e presidentit të ri.
Në deklaratat e tij në Nju-Jork, Vuçiq foli edhe për çështjen e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), duke thënë se pret të ketë më shumë informacion në ditët në vijim pas një bisede të planifikuar me presidentin rus Vladimir Putin. Ai përmendi gjithashtu çështjet energjetike dhe aktivitetin e Hekurudhave Ruse në Serbi.
Dorëheqja e paralajmëruar vjen në një periudhë të tensionuar politike në Serbi, ndërsa vendi po përgatitet për zgjedhjet e 25 tetorit dhe protestat e udhëhequra nga studentët vazhdojnë të jenë pjesë e zhvillimeve kryesore politike.












