Musliu-Shoshi: Afatet për Presidentin janë të qarta, prioritet ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar 6 tetorin si afatin e fundit për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
Nëse deri në këtë datë nuk arrihet zgjedhja e kreut të shtetit, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka folur për “Front Online” mbi situatën politike pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatet për zgjedhjen e Presidentit.
Ajo tha se mbetet të shihet në vijim se a po zgjidhet presidenti apo vendi po shkon drejt zgjedhjeve.

Lexo edheSot protestë në Prizren kundër aktgjykimit të Speciales
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese tashmë i ka bërë të qarta afatet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit. Nëse do të ketë marrëveshje për Presidentin apo vendi do të shkojë në zgjedhje, mbetet të shihet në ditët në vijim”, ka deklaruar Musliu-Shoshi.
Ajo ka thënë se në këtë fazë, për PDK-në vëmendja kryesore duhet të jetë te ndryshimet ligjore për Dhomat e Specializuara.
“Për ne, në këtë moment, prioritet është miratimi i propozimeve për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Kjo është një çështje që kërkon trajtim serioz dhe urgjent institucional dhe aty duhet të përqendrohet energjia jonë politike”, ka theksuar ajo.












