Një rast i rëndë është raportuar në Lipjan ditëve të fundit, ku një fëmijë 5-vjeçar është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare.
Sipas informacioneve, ai nuk ishte dërguar nga prindërit, por nga një familjar tjetër, ndërsa vetë prindërit dyshohen se janë përgjegjës për gjendjen e tij, raporton lajmi.net
Për këtë rast ka folur edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media, i cili ka dhënë detaje për gjendjen e fëmijës dhe trajtimin e tij në Klinikën e Pediatrisë.
Ai tha se gjendja e 5 vjeçarit është e mirë dhe se po e merr veten.
“I gjithë personeli shëndetësor në Klinikën e Pediatrisë është alarmuar dhe ka bërë maksimumin e tyre. E kam takuar nga afër vogëlushin 5-vjeçar, ku i gjithë stafi ka bërë punë të jashtëzakonshme. Nga ajo që kam parë unë, fëmija ka qenë në gjendje të vështirë dhe të rënduar, jo vetëm fizike, por edhe i traumatizuar dhe pothuajse me shumë pak komunikim, pavarësisht moshës 5-vjeçare. Gjendja e tij edhe ditën e vizitës ka qenë stabile. Drejtoria e ShSKUK-së më ka informuar në kohë reale për gjendjen e vogëlushit dhe pas qetësimit i janë ofruar edhe psikologu, psikiatri dhe shërbime të tjera. Dje ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje, ku për shkak të gjendjes së rënduar në njërën shputë është bërë një intervenim mes kirurgëve ortopedë dhe atyre plastikë. Ka dalë nga salla dhe është qetësuar shumë shpejt. Sot gjendja e tij është stabile dhe më e mirë. Gjendja në aspektin shëndetësor ka shkuar mirë dhe po e merr veten shumë shpejt”, tha Vitia.