Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat drejtuese në Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai në një konferencë për media ka sqaruar edhe arsyet e dorëheqjes së tij.
“Që nga dita e sotme kam vendosur që të dorëhiqem parevokueshëm nga të gjitha pozitat e mia drejtuese në Vetëvendosje, nga pozita e Kryetarit të Lëvizjes, nga ajo e anëtarit të Kryesisë, si dhe nga pozita e anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes. Më duhet ta them menjëherë që ky është një prej vendimeve më të vështira që kam marrë ndonjëherë në jetë”, tha ai para gazetarëve.
Ymeri tha se problemet në VV vazhdojnë për më shumë se një vit, shkruan Periskopi.
“Ka një kohë të gjatë, më shumë se një vit, që jemi duke u përballë me një problem me përmasa në rritje të cilin as nuk e dëshiroj e as nuk e përkrah. Për 11 vjet rresht jemi munduar e kemi kontribuar bashkërisht që ta ndërtojmë një organizatë politike që është plotësisht e ndryshme nga të gjitha subjektet tjera, si koncept e program politik, e rrjedhimisht edhe si mënyrë e të funksionuarit e të organizuarit. Duke dhënë çdo gjë në mundësinë tonë, secili prej nesh, për pasurimin e përparimin e konceptit tonë politik, e duke hequr dorë, secili prej nesh, prej vetëprezervimit e vetërealizimit, kemi arritur këtu ku jemi, dhe kemi arritur të shihemi ndryshe prej të tjerëve: si të pakorruptueshëm, të sinqertë, të besueshëm”, ka thënë ai në konferencë.