Tifozët vunë re se si Virgil van Dijk reagoi kur trajneri i Liverpool-it, Arne Slot, përshëndeti kapitenin e Crystal Palace dhe objektivin e përfolur të merkatos, Marc Guehi, pak para fillimit të Community Shield.
Premier League u përball me fituesit e FA Cup, Palace, në Wembley, në ndeshjen hapëse të sezonit, ku debutuan tre blerjet e reja të Liverpool-it.
Hugo Ekitike dhe Jeremie Frimpong shënuan golat e tyre të parë, Florian Wirtz dha një asist, ndërsa mbrojtësi i majtë Milos Kerkez la përshtypje të mira në debutimin zyrtar.
Merkatoja e Liverpool-it mund të mos ketë përfunduar ende. Përveç sagës së Alexander Isak, e cila gjasat janë të mos përfundojë me transferimin e tij në Anfield, “The Reds” vazhdojnë të lidhen me një lëvizje për mbrojtësin anglez Guehi.
Liverpool e lejoi Jarell Quansah të kalojë te Bayer Leverkusen, por dëmtimi i Joe Gomez i ka lënë disi të pambuluar në qendër të mbrojtjes. Partneri i zakonshëm i Van Dijk është Ibrahima Konate, ndërsa Ryan Gravenberch dhe Wataru Endo mund të mbulojnë si zëvendësues.
Sipas Mike McGrath nga The Telegraph, Liverpool është favorit për të firmosur me Guehi, ndërsa ish-klubi i tij Chelsea po kërkon opsione të tjera, edhe pse dëmtimi në ligament i Levi Colwill e ka lënë atë jashtë fushave. Gjigantët e Merseyside raportohet se e kanë ndjekur situatën e Guehi-t prej kohësh, me kontratën e 25-vjeçarit që skadon verën e ardhshme.

Me Liverpool-in në “pole position”, Guehi mori një shtrëngim duarsh nga Slot në tunel, dhe Van Dijk pati një reagim në fytyrë që u bë viral.
Në rrjetin X, një tifoz shkroi: “Guehi te Liverpool është konfirmuar. Reagimi i Van Dijk thotë gjithçka.”
Një tjetër shtoi: “Van Dijk e di çfarë po bën Slot me Guehi.”
Një i tretë shkroi: “Reagimi i Virgil van Dijk kur Arne Slot përshëndeti Marc Guehi.”
Një tjetër komentoi: “Sytë e Van Dijk mbi Slot ndërsa ai i shtrëngoi dorën Guehi-t.”
Guehi shkëlqeu në barazimin 2-2, por u detyrua të largohej në minutat e fundit për shkak dëmtimi. Pasi u ul në fushë nga zhgënjimi, ai u zëvendësua nga Justin Devenny – i cili shënoi penalltinë vendimtare në gjuajtjet e 11-metërshave.
I pyetur para ndeshjes nëse Liverpool do të sillte një mbrojtës tjetër, Slot tha për TNT Sports:
“Ne kemi më shumë se mjaft opsione në atë repart, por nëse shohim një mundësi në merkato, nuk do të hezitojmë të veprojmë.” /GazetaExpress/