Telekomi hap kuletën, shpenzon mbi gjysmë milioni euro për zgjerimin e rrjetit 2G, 4G e 5G

Telekomi i Kosovës SH.A. ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 597 mijë e 947.29 euro për furnizim me pajisje 2G, 4G dhe 5G, me qëllim të zgjerimit të kapaciteteve të rrjetit.
Sipas njoftimit zyrtar për nënshkrimin e kontratës, aktiviteti i prokurimit është zhvilluar për furnizimin me pajisje të teknologjive 2G, 4G dhe 5G, si dhe shërbime të tjera të përcaktuara në dokumentacionin e tenderit, shkruan IndeksOnline.
Kontrata është lidhur më 3 shtator 2026 me kompaninë Ericsson Nikola Tesla d.d., me seli në Zagreb të Kroacisë. Dokumenti tregon se në procedurë është pranuar vetëm një tender, i cili është vlerësuar si i përgjegjshëm.
Vlera e përgjithshme e kontratës është 597,947.29 euro, ndërsa vlera e parashikuar fillimisht për këtë prokurim ishte 600 mijë euro.

Lexo edheParashikimi i motit për të martën
Sipas dokumentit, kontrata financohet nga mjetet vetanake të Telekomit të Kosovës, ndërsa kohëzgjatja e paraparë është 90 ditë. Vendi kryesor i dorëzimit është përcaktuar depoja e Telekomit të Kosovës në fshatin Hajvali.
Procedura e prokurimit është zhvilluar me procedurë të negociuar, ndërsa kriteri i dhënies së kontratës ka qenë çmimi më i ulët. Aktiviteti i prokurimit ishte iniciuar më 26 maj 2026, ndërsa njoftimi për dhënien e kontratës ishte publikuar më 21 gusht 2026.
Në dokumentin zyrtar thuhet gjithashtu se kontrata nuk parashihet të nënkontraktohet./IndeksOnline/












