Një pjesë e Hotelit “Adriatiku” në Mitrovicë është shembur sot në orët e pasditës , ku për pasojë dyshohet se një person është zënë nga gërmadhat.
Në pjesën e shembur të Hotelit “Adriatiku” kanë qenë katër persona, tre janë tërhequr ndërsa një person dyshohet se ka mbetur brenda.
Kështu tha në një prononcim për Telegrafin, Komandanti i Policisë në Rajonin e Mitrovicës, Ahmet Gjosha.
Sipas tij, të gjitha njësitet e shpëtimit po bëjnë përpjekje që të nxjerrin personin i cili ka mbetur brenda.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, u ka bërë apel organeve të sigurisë të japin maksimumin për shpëtimin e tij.
“Po ashtu, kërkoj nga kompanitë ndërtimore që posedojnë makineri adekuate të dalin urgjentisht në vend të ngjarjes për heqjen e gërmadhave me mjetet e tyre”, shkruan Bahtiri në Facebook, i cili me këtë rast shpreh keqardhje pasi aktualisht ndodhet jashtë Kosovës. /Telegrafi/