Veseli takon veteranët: Ish-luftëtarët janë të gatshëm të marrin secilën përgjegjësi që u takon

Pasi uroi drejtuesit e rinj të OVL-së për detyrën në krye të organizatës që përfaqëson ish-luftëtarët e lirisë, kryeparlamentari Veseli tha se kjo është një nga kategoritë e qytetarëve e cila ka nevojë të madhe për përkrahje institucionale, në radhë të parë morale, por, siç theksoi kryetari Veseli, nuk ka nevojë për lëmoshë. Ish-luftëtarët, shtoi kryetari Veseli, janë të gatshëm të marrin secilën përgjegjësi që u takon, në funksion të ndërtimit dhe forcimit të shtetësisë sonë.
Kreu i Kuvendit tha se veteranët e luftës janë duke u ballafaquar me një situatë, për të cilën ata më së paku janë fajtorë. Ai tha se veteranët e luftës nuk do të jenë asnjëherë mollë sherri për asgjë.
“Veteranët po mundohen të gjejnë një zgjidhje. Secili prej tyre e ndien veten të fyer nga çdo manipulim i cili mund të bëhet në emër të tyre, veçanërisht në ngarkimin e buxhetit të Republikës së Kosovës. Ata janë të gatshëm ta japin ende për Kosovën dhe shumë shpejt do ta gjejnë zgjidhjen”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Lexo edhePresidenti Thaçi nënshkruan Ligjin për Trepçën
Kryetari i OVL të UÇK-së, Hyseni Gucati, nga ana e tij, falënderoi kryetarin Veseli për vizitën dhe njëkohësisht shprehu përkushtimin për zgjidhjen e çështjeve që lidhen me numrin e veteranëve, ndërsa theksoi nevojën edhe të ndryshimit të ligjit.
















