Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka kujtuar protestat e studentëve të 11 marsit të vitit 1981, duke thënë se nuk kanë qenë vetëm protesta të shprehjes së pakënaqësive, por kanë një domethënie historike që nuk mund të anashkalohet.
“Protesta e studentëve e 11 marsit të vitit 1981, nuk ishte vetëm simbolikë e shprehjes së pakënaqësive me gjendjen e përgjithshme sociale e politike të shoqërisë kosovare, por ka një domethënie historike që nuk mund të anashkalohet. Ajo e fuqizoi përfundimisht realitetin se Kosova nuk ishte një entitet gjeografik siç dëshironte ta shihte politika jugosllave, por një entitet tërësisht politik, çështja e së cilës do të duhej të shtrohej për një zgjidhje përfundimtare dhe se kundër këtij fakti nuk kishte asnjë alternativë konformiteti”, ka shkruar Veseli.
Ai ka thënë ka kujtuar se 37 vite më pas Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe duhet të kujtojmë me konsideratë protestuesit e 11 marsit.
“Sot, 37 vite më pas, kur Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, duhet t’i nderojmë dhe kujtojmë me konsideratë të lartë të gjithë ata protestues, studentë e qytetarë, të cilët e patën një vizion të tillë dhe që me mund e sakrificë vulosën të ardhmen e pa kompromis drejt lirisë dhe pavarësisë së vendit”, ka thënë ai.
Veseli ka thënë se garancia e këtyre përpjekjeve janë qytetarët e republikës së Kosovës, të cilët çdo ditë e forcojnë integritetin e lirisë.
“Tash, garancia e këtyre përpjekjeve është rinia e Republikës së Kosovës, janë qytetarët e saj të cilët çdo ditë forcojnë integritetin e lirisë dhe i japin kuptim ndërtimit të shtetit demokratik. Ky vizion duhet të na përcjellë edhe më tutje, veçmas tani kur kemi hyrë në Dekadën e Re, dekadën e besimit në vlerat demokratike, dekadën e zhvillimit dhe mirëqenies, dekadën e integrimit në familjen evropiane”, ka përfunduar Veseli.


