Dr. Salvador Plasencia, një mjek 43-vjeçar nga Los Angeles, u shpall fajtor të mërkurën, më 23 korrik, për sigurimin e ketaminës ndaj aktorit Matthew Perry, rreth një muaj para se ai të ndërronte jetë nga mbidoza. Plasencia është i katërti nga pesë të pandehurit në këtë çështje që ka pranuar të bashkëpunojë me autoritetet.
Mjeku, i cili pritej të dilte në gjyq në muajin gusht, u paraqit në gjykatën federale i shoqëruar nga avokati i tij, ku pranoi fajësinë për katër akuza për shpërndarje të paligjshme të ketaminës. Marrëveshja e tij me prokurorinë përfshin gjithashtu heqjen e tre akuzave të tjera për shpërndarje dhe dy akuza për falsifikim të të dhënave mjekësore.
Gjatë seancës dëgjimore, Plasencia foli vetëm për t’iu përgjigjur pyetjeve të gjyqtares. Kur ajo e pyeti nëse kishte shqyrtuar të gjitha opsionet me avokatët e tij për pasojat ligjore, ai u përgjigj shkurt:
“Po, i kemi shqyrtuar të gjitha.”
Sipas dokumenteve të gjykatës dhe deklaratave të të pandehurve të tjerë, Plasencia e furnizoi ilegalisht Perry-n me sasi të mëdha ketamine për një muaj të plotë para vdekjes së tij më 28 tetor 2023. Në një mesazh me tekst, ai e quante aktorin “budalla” dhe shtonte se “mund të shfrytëzohej për para”.
Prokurorët theksuan se, edhe pse Plasencia nuk ia dha personalisht Perry-t dozën fatale, ai e kishte përdorur atë gjatë një seance mjekësore ku Perry përjetoi konvulsione dhe rritje të tensionit të gjakut. Mjeku, pavarësisht kësaj, kishte lënë doza shtesë të ketaminës në kujdesin e asistentit personal të aktorit, për përdorim të mëvonshëm.
Sipas ligjit amerikan, secila nga akuzat për shpërndarje të paligjshme të substancave narkotike mund të sjellë deri në 10 vjet burg, me një maksimum prej 40 vitesh, pa garanci për ulje dënimi. Megjithatë, duke marrë parasysh marrëveshjen me prokurorinë dhe bashkëpunimin me autoritetet, dënimi i tij pritet të jetë më i lehtë. Ai do të mbetet i lirë me kusht deri në shpalljen e dënimit më 3 dhjetor.