Vdes papritur këngëtari i njohur grek, dy mjekë merren në pyetje nga policia

Këngëtari i njohur grek, Giorgos Mazonakis, ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare, pasi pësoi arrest kardiak gjatë një procedure mjekësore në një ordinancë private në zonën e Kolonakit, në Athinë.
Mazonakis ishte në ordinancë për t’iu nënshtruar një procedure të quajtur plazmaferezë, kur gjendja e tij u përkeqësua papritur. Shërbimi i urgjencës EKAB u njoftua dhe këngëtari u transportua me ambulancë në spitalin “Elpis”, ku mbërriti pa puls dhe pa frymëmarrje spontane. Mjekët tentuan për rreth 55 minuta ta reanimonin, por pa sukses. Vdekja e tij u konstatua në orën 17:40, transmeton lajmi.net.
Pas ngjarjes, autoritetet greke kanë nisur hetime për të zbardhur rrethanat e sakta të vdekjes. Në fokus është edhe procedura mjekësore që po kryhej, kushtet në të cilat funksiononte ordinanca dhe nëse ajo kishte licencat e nevojshme për kryerjen e një procedure të tillë.
Në kuadër të hetimeve, dy mjekë, një çift bashkëshortësh që drejtonin ordinancën, u shoqëruan për t’u marrë në pyetje. Mjeku, i cili është pronar i ambientit, ka deklaruar se nuk e kishte kryer vetë plazmaferezën dhe se procedura ishte ndjekur nga bashkëshortja e tij. Të dy janë lënë të lirë, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

Lexo edheGola i përgjigjet PDK-së: Radha është e juaja të tërhiqeni dhe të respektoni kushtet e LVV-së
Autoritetet po verifikojnë gjithashtu nëse ordinanca ishte e autorizuar për kryerjen e plazmaferezës. Pritet edhe rezultati i ekzaminimit mjeko-ligjor, i cili do të ndihmojë në përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes.
Mazonakis ishte një prej emrave më të njohur të muzikës greke dhe kishte ndërtuar një karrierë prej më shumë se tri dekadash./lajmi.net/














