Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin Arton Duraku është dënuar me dënim unik prej 5 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa Nezir Duraku me 10 muaj burgim, për aksidentin e ndodhur në nëntor të 2022-ës në të cilin humbi jetën kadeti policor F.Sh.
“Refuzohen si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore – DKR në Pejë, përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, av. Salih Mekaj, e të dëmtuarit E. Sh. dhe mbrojtësit të akuzuarit Arton Duraku, av. Shefqet Ibrahimi dhe të akuzuarit Nezir Duraku, ndërsa, aktgjykimi i Gjykatës Themelore – DKR në Pejë, PKR.nr.22/2025 i datës 19.11.2025, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit të përpiluar më 4 mars 2026, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndaj vendimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Pejë, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit mbi dënim. Ka propozuar që të ndryshohet aktgjykimi i ankimuar dhe të akuzuarit të shpallen fajtorë sipas propozimit në aktakuzë dhe t’iu shqiptohen dënime më të ashpra.
Përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar, avokati Salih Mekaj ka parashtruar ankesë për shkak të vendimit për dënim, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet në drejtim të cilësimit juridik të veprave penale, ashtu që, të akuzuarit të shpallen fajtorë sipas propozimit në aktakuzë dhe t’iu shqiptohen dënime më të ashpra.
I dëmtuari E.Sh., ka parashtruar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimitm të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit për dënim, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim dhe vendosje.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Arton Duraku, avokati Shefqet Ibrahimi, parashtroi ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit mbi dënimin, me propozim që të ndryshohet aktgjykimi i ankimuar dhe të akuzuarit Arton për veprën e parë penale t’i shqiptohet dënim më i butë, ndërsa për veprën e dytë të lirohet nga akuza apo për këtë pjesë aktgjykimi i akimuar të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim.
Kurse, i akuzuari Nezir Duraku parashtroi ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit përdënim, me propozim që të ndryshohet aktgjykimi i ankimuar dhe i akuzuari Nezir të lirohet nga akuza apo të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim.
Prokuroria e Apelit me parashtresë ka propozuar që ankesa e Prokurorisë dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar të aprovohet, ndërsa ankesat e mbrojtësit të të akuzuarit Arton Duraku dhe të akuzuarit Nezir Duraku, të refuzohen si të pabazuara.
Kolegji i Gjykatës së Apelit, me kryetar- Mentor Hajra dhe anëtarët Xhevdet Abazi dhe Valbona Musliu-Selimaj, ka konstatuar se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të procedurës penale, vërtetimi i gjendjes faktike është i plotë dhe i saktë, dhe se nuk ka shkelje të Ligjit Penal.
Sipas vendimit të Apelit, për ricilësimin e veprave penale Themelorja ka dhënë arsye të mjaftueshme dhe të bindshme kur ka kaluar nga forma e dashjes eventuale në formën e pakujdesisë.
Ky ricilësim, Apeli vlerëson se është mbështetur kryesisht në super-ekspertizën e komunikacionit, e cila ka konstatuar se Arton Duraku, në momentin kritik ka ndërmarrë veprime konkrete për të shmangur aksidentin manovrim me timon por prapë ka ndodhur përplasja si pasojë e tejkalimit të shpejtësisë dhe kalimit në shiritin e kundërt.
Sipas vendimit të Apelit, për veprat e “Mosdhënies së ndihmës”, Apeli ka mbështetur ricilësimin në formën bazë pasi eksperti mjeko-ligjor ka konstatuar se viktima F. Sh., ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes brenda një kohë shumë të shkurtër, si pasojë e gjakderdhjes masive. Prandaj, nuk janë plotësuar kushtet për formën e kualifikuar të këtyre veprave penale.
Gjykata e Apelit vlerëson se megjithëse të akuzuarit e kanë parë viktimën ende gjallë dhe kanë dëgjuar thirrjet e tij për ndihmë, ricilësimi në paragrafin 1 të neneve përkatëse është i drejtë, pasi vdekja ka ndodhur shumë shpejt dhe ndihma e mundshme nuk do të kishte pasur efekt shpëtues.
Sipas vendimit të Apelit, dënimet e shqiptuara janë proporcionale me rrethanat e rastit, duke marrë parasysh si rrethanat lehtësuese ashtu edhe ato rënduese, si fakti që dy të akuzuarit nuk kanë qenë të dënuar më parë, mosha e re e viktimës, fakti që ishte baba i një fëmije të mitur, largimi nga vendi i ngjarjes pa ofruar ndihmë dhe përpjekjet për fshehjen e veprës.