Nicole Kidman dhe Keith Urban duket se vazhdojnë të kenë respekt për njëri-tjetrin edhe pas ndarjes së tyre.
Me rastin e 59-vjetorit të Kidman, Urban publikoi në Instagram Story një urim të shkurtër, por të ngrohtë: “Gëzuar ditëlindjen, Nicole Mary!”, duke përdorur emrin e plotë të aktores.

Edhe pse Kidman nuk reagoi publikisht ndaj urimit, një ditë më vonë ajo përfshiu ish-bashkëshortin në postimin e saj për Ditën e Babait. Aktorja ndau një kolazh fotografish, ku krahas një fotoje me babanë e saj të ndjerë, Antony Kidman, publikoi edhe një imazh të Urban me dy vajzat e tyre, Sunday Rose dhe Faith Margaret.
“Gëzuar Ditën e Babait të gjithë baballarëve”, shkroi ajo në Instagram Story.
Kidman dhe Urban finalizuan divorcin në janar të këtij viti, pas 19 vitesh martesë. Sipas raportimeve, ish-çifti arriti një marrëveshje miqësore, ndërsa vajzat e tyre jetojnë kryesisht me Kidman.
Në muajt e fundit nuk kanë munguar spekulimet për marrëdhënien e Urban me vajzat e tij, por urimi publik për ditëlindjen e ish-bashkëshortes dhe gjesti i Kidman në Ditën e Babait kanë lënë të kuptohet se mes tyre vazhdon të ekzistojë një raport i respektueshëm.
Ndërkohë, Kidman festoi ditëlindjen e saj në natyrë, duke ndarë me ndjekësit një fotografi nën rrezet e diellit.
“Edhe një udhëtim tjetër rreth diellit. Faleminderit për gjithë urimet e ditëlindjes”, shkroi ajo në rrjetet sociale.