U paralajmërua nga Rama, Qeveria miraton vendimin për shpërblimin për 2750 efektivët e policisë në frontin e protestës

Qeveria ka miratuar vendimin për dhënien e shpërblimit financiar për 2750 punonjës të Policisë së Shtetit, me argumentin e angazhimit të shtuar të tyre në garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë protestave në Tiranë.
Vendimi është miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të kësaj të hëne, pas paralajmërimit të bërë më herët gjatë ditës nga kryeministri Edi Rama.
Sipas dokumentit zyrtar, për shpërblimin e punonjësve të policisë parashikohet një fond total prej 740 milionë e 80 mijë lekësh, i cili do të shtohet në buxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në zërin e shpenzimeve korrente të programit buxhetor “Policia e Shtetit”.
Në vendimin e miratuar përcaktohet se shpërblimi financiar lidhet me angazhimin e shtuar të punonjësve të policisë për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Efekti financiar prej 740 080 000 lekësh do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2026.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit do të përcaktojë listën emërore të përfituesve, bazuar në dokumentacionin justifikues, si dhe do të kryejë procedurat për dhënien e shpërblimit.
Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Në dokumentin e firmosur nga kryeministri Edi Rama përcaktohet se vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
Vendim i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Tetor 2026:
V E N D I M
PËR
DHËNIE SHPËRBLIMI PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT DHE PËR NJË SHTESË NË BUXHETIN E MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, MIRATUAR PËR VITIN 2026

Lexo edheHaradinaj për protestat në Shqipëri: Na dhemb sikur ta kishim në familje
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 14, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënie shpërblimi financiar në masën prej 269 120 (dyqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e njëzet) lekësh për 2 750 (dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë) punonjës të Policisë së Shtetit për angazhimin e shtuar në garantimin e rendit dhe të sigurisë publike.
2. Në buxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në zërin “Shpenzime korrente” të programit buxhetor “Policia e Shtetit”, shtohet fondi prej 740 080 000 (shtatëqind e dyzet milionë e tetëdhjetë mijë) lekësh.
3. Efekti financiar, në shumën prej 740 080 000 (shtatëqind e dyzet milionë e tetëdhjetë mijë) lekësh, që rrjedh nga zbatimi i këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2026.
4. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit përcakton listën emërore të punonjësve të policisë përfitues bazuar në dokumentacionin justifikues dhe kryen procedurat për dhënien e shpërblimit.
5. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA












