Në përputhje me procedurat ekzistuese, një kontingjent i forcave rezervë të NATO-s ka nisur vendosjen e përkohshme në Kosovë, me qëllim zhvillimin e një sërë aktivitetesh stërvitore me njësitë e KFOR-it.
Ky angazhim është pjesë e një praktike të rregullt që synon forcimin e gatishmërisë operacionale dhe aftësisë së KFOR-it për t’iu përgjigjur me efikasitet zhvillimeve të sigurisë në terren, transmeton lajmi.net.
Kontingjenti i parë i njësisë Scots Guards, një regjiment i këmbësorisë së lehtë të mekanizuar nga Mbretëria e Bashkuar, ka arritur tashmë në Kosovë, ku do të qëndrojë përkohësisht për qëllime stërvitore. Pjesëtarët e kësaj njësie do të kryejnë ushtrime të përbashkëta me trupat ekzistuese të KFOR-it për të përmirësuar bashkëpunimin dhe ndërveprimin operativ.
Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të mandatit të gjatë të KFOR-it, i bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999. Misioni i KFOR-it është të kontribuojë për një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, si dhe të sigurojë lirinë e lëvizjes.
Të gjitha aktivitetet realizohen në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), secili në rolet e veta si përgjegjës të sigurisë.
Postimi i plotë: