Ish-kapiteni i Portos dhe legjenda e futbollit portugez, Jorge Costa, ka ndërruar jetë në moshën 53-vjeçare, pas një arrestit kardiak të pësuar në qendrën stërvitore të klubit.
Costa, i cili ishte në sezonin e tij të dytë si drejtor i futbollit profesionist te FC Porto, u dërgua me urgjencë në spital, por fatkeqësisht nuk mundi të shpëtohej, transmeton lajmi.net
Në një deklaratë zyrtare, klubi portugez shprehu dhimbjen për humbjen e një figure të rëndësishme:
“Gjatë gjithë jetës së tij, brenda dhe jashtë fushës, Jorge Costa mishëroi vlerat që e përkufizojnë FC Porton: përkushtim, lidership, pasion dhe një shpirt të pathyeshëm fitoreje. Ai la gjurmë tek gjenerata të tëra tifozësh dhe u bë simbol i Portizmit.”
Gjatë karrierës së tij si futbollist, Costa zhvilloi 530 ndeshje zyrtare, përfshirë 383 me Porton dhe 50 me kombëtaren e Portugalisë. Ai fitoi nofkën “Animal”, dhënë nga bashkëlojtari Fernando Couto, për stilin e tij të ashpër në mbrojtje.
Si kapiten i Portos, ai udhëhoqi ekipin drejt triumfeve historike, duke fituar Kupën UEFA në vitin 2003 dhe Ligën e Kampionëve në vitin 2004, nën drejtimin e trajnerit José Mourinho./lajmi.net/