Tregu amerikan: Comodita vazhdon me eksport drejt SHBA-së

Prodhimi kosovar po merr sërish rrugë drejt tregut amerikan.
Kompania “Comodita” po eksporton në Shtetet e Bashkuara mbishtresa dyshekësh, të prodhuara në Kosovë dhe të përshtatura për kërkesat e këtij tregu.
Përpara paketimit dhe nisjes, produktet kalojnë nëpër disa faza të prodhimit dhe kontrolleve të cilësisë.
“Bëhet fjalë për mbishtresat e dyshekëve që udhëtojnë drejt tregut amerikan. Veçori e këtyre mbishtresave është MemoryGel Infuse, ku bëhet kombinimi i veçorive të shkumës Memory dhe teknologjisë Gel Infuse”, tha Rona Gruda, menaxhere e laboratorit dhe kontrollit të cilësisë.
Një tjetër veçori është teknologjia Cooling, e cila krijon një sipërfaqe të freskët dhe mundëson menaxhimin e nxehtësisë së trupit.
Çdo produkt testohet dhe kontrollohet gjatë procesit të prodhimit.

Lexo edhePDK: Zëri i qytetarëve u bë forcë, të hetohet çdo rast i dhunës gjatë protestave
“Secili produkt kalon në faza strikte testimi dhe përmbush standarde të larta të cilësisë, me materiale të certifikuara nga kompanitë e mëdha”, pohoi menaxherja Gruda.
Kjo punë, sipas saj, është rikthim i besimit dhe vazhdim i hapave të dikurshëm.
“Kjo nuk është veç një dërgesë eksporti, është rikthim i besimit dhe vazhdim i historisë së nisur më herët. Çdo produkt është i punuar me finesë nga duart e punëtorëve tanë, nga Kosova për në shtëpitë amerikane”, shtoi mes tjerash Gruda.
Eksportet e “Comodita”-s drejt SHBA-së shënojnë një tjetër hap në zgjerimin ndërkombëtar të kompanisë, e cila po e çon prodhimin kosovar në tregje gjithnjë e më të mëdha.












