Policia e San Diegos është duke iu përgjigjur raportimeve për një person të armatosur në një xhami në zonën Clairemont të qytetit, sipas deklaratës së Departamentit të Policisë së San Diegos.
Autoritetet thanë se situata mbetet “e tensionuar, por e kontrolluar”, ndërsa në vendngjarje janë angazhuar forca të shumta policore dhe ekipe emergjente.
Ngjarja po zhvillohet në Qendrën Islamike të San Diegos, ku policia u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën përreth, raportojnë mediat amerikane, transmeton IndeksOnline.
Kryetari i bashkisë së San Diegos, Todd Gloria, deklaroi në rrjetin social X se është informuar për raportimet lidhur me të shtënat aktive dhe po merr përditësime të vazhdueshme nga autoritetet.
“Personeli emergjent është në vendngjarje dhe po punon në mënyrë aktive për të mbrojtur komunitetin dhe për të siguruar zonën”, shkroi ai.

Edhe guvernatori i California, Gavin Newsom, është informuar për situatën.
Zyra e tij bëri të ditur se Shërbimet Emergjente të Guvernatorit po bashkëpunojnë me forcat lokale të rendit.
“Jemi mirënjohës ndaj ndihmësve të parë që po punojnë për të mbrojtur komunitetin dhe i nxisim qytetarët të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale”, thuhet në deklaratë.

Raportime të pakonfirmuara flasin për një viktimë, megjithatë SDPD ende nuk ka dhënë informacion zyrtar për persona të vrarë apo të plagosur.
Policia ka ngritur gjithashtu një pikë ribashkimi për familjarët dhe personat e prekur nga incidenti. /IndeksOnline/