Ish-deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se sot ka vizituar ish-presidentin, Hashim Thaçin në Hagë, duke e përshkruar takimin si jashtëzakonisht emocionues dhe frymëzues.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri tha se çdo vizitë gjatë viteve sa Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij ndodhen në paraburgim sjell emocione të veçanta, pasi, sipas tij, përtej mureve të paraburgimit ai vazhdon të gjejë të njëjtën forcë, dinjitet dhe besim që e kanë karakterizuar gjithmonë.
Ai theksoi se bisedat me Thaçin janë gjithmonë të mbushura me shpresë për të ardhmen dhe se, pavarësisht sfidave me të cilat po përballet, ish-presidenti vazhdon ta ruajë qetësinë, vendosmërinë dhe besimin se e vërteta do të dalë në dritë.
Në fund të postimit, Tahiri shprehu dëshirën që kjo periudhë të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij të kthehen pranë familjeve dhe popullit të tyre. /Lajmi.net/