Ish deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri në një konferencë për media ka thënë se bazuar në të dhënat që kanë marrë nga shtabet e tyre zgjedhore, mbarëvajtja e procesit zgjedhor po kalon pa asnjë akces deri në këtë orë, dhe se deri tani kanë parë një dalje të vogël në krahasim me raundin e parë të zgjedhjeve.
“Të dhënat nga komunat tregojnë se ka pas disa ankesa në lidhje me votimin e personave me aftësi të kufizuara, të cilat i kemi adresuar te përfaqësuesi jonë në KQZ, Muharrem Nitaj i cili pastaj i ka adresuar. Ka pasur disa probleme në votimin me asistencë, ndërsa në orët e fundit poashtu kemi vërejtur një defilim të zyrtarëve që kanë funksione shtetërore që kanë kaluar në qytete të ndryshme dhe me një formë apo tjetër kanë ndikim”, ka thënë Tahiri para mediave.
Ai gjithashtu ka thënë se kjo ditë do të jetë një festë e madhe për shkak të fuqizimit dhe rikthimit të fuqishëm të AAK-së në skenën politike.
“Mos ta prishim në këtë orë, përmes defilimit të mekanizmave shtetërorë, një festë që është bukur e madhe dhe e rëndësishme. I ftojmë të gjithë qytetarët të japin kontributin e tyre më të madh në demokraci, sepse vota e secilit prej nesh është momenti i gjykimit për secilin prej nesh por edhe kontributi i secilit qytetar. Andaj, i ftojmë të gjithë qytetarët që në këto tri orët që kanë mbetur, të dalin dhe të votojnë po ashtu i ftoj edhe kolegët tonë që të mobilizohen. Ne jemi këtu në seli për çfarë do informate dhe ky është kontributi ynë më i madh. sot Kosova do të ketë një festë, do të ketë një verdikt demokratik, le të jetë ai me të vërtetë i lirë dhe demokratik”, ka thënë Tahiri. /Lajmi.net/