Sveçla pas arrestimeve për krime lufte: S’do të ketë kompromis ndaj autorëve të krimeve në Kosovë

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përshëndetur operacionin e zhvilluar nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë, gjatë të cilit u arrestuan pesë persona të dyshuar për përfshirje në masakrën e Reçakut, si dhe një tjetër i dyshuar për vrasjen e civilëve në Ponesh.
Sveçla thekson se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara në hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës, duke nënvizuar se përgjegjësit për krimet e kryera gjatë luftës nuk do të mbeten jashtë drejtësisë.
Ai vlerësoi angazhimin e Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale dhe Agjencisë Kosovare të Inteligjencës në realizimin e operacionit, duke e cilësuar atë si rezultat të bashkëpunimit institucional në luftën kundër pandëshkueshmërisë.
Sipas Sveçlës, vendosja e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre mbetet një detyrë e rëndësishme shtetërore. Ai theksoi se institucionet do të vazhdojnë punën për identifikimin dhe ndjekjen e të gjithë personave që dyshohen për përfshirje në krime lufte, me qëllim që secili rast të trajtohet në përputhje me ligjin dhe procedurat gjyqësore.

Lexo edheAksident i rëndë në autostradën “Ibrahim Rugova”, Policia në vendin e ngjarjes
“Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe për këtë fakt, të gjithë ata që kanë planifikuar, urdhëruar apo zbatuar krime kundër popullit tonë duhet të ballafaqohen me drejtësinë. Plaga e dhimbjes së familjeve të viktimave dhe e mbarë shoqërisë sonë mbetet e madhe, por drejtësia është detyrim institucional dhe moral që nuk parashkruhet”, ka shkruar ai në Facebook.














