Gjashtë persona të moshës nga 67 deri në 88 vjeç u plagosën, një prej tyre rëndë, gjatë një sulmi të ndodhur pasditen e së dielës, 1 qershor, në një marshim pro-Izrael, për pengjet izraelite ende në Gaza, në Boulder, shteti i Kolorado-s.
Të gjithë të plagosurit janë dërguar në spitale me djegie dhe lëndime të tjera. Lëndimet variojnë nga “të lehta” deri në “shumë serioze”.
Sipas deklaratave të agjentit special të FBI-së, Mark Michalek, i dyshuari u identifikua si Mohamed Sabry Soliman, 45 vjeç, i cili kishte me vete një lloj lanciafames artizanal dhe një pajisje ndezëse. Gjatë sulmit, dëshmitarë thanë se ai bërtiste “Palestina e lirë”.
Në një video, i dyshuari, i identifikuar si Mohamed Sabry Soliman, shfaqet pa bluzë dhe duke mbajtur dy kokteje Molotov ndërsa bërtet “Palestina e lirë”.
Autoritetet lokale thanë se sulmi ndodhi të dielën pasdite në kryqëzimin e rrugëve e 13-ta dhe Pearl.
Policia u kërkoi të gjithëve të shmangnin zonën dhe urdhëroi evakuim ndërsa ekipet e ndihmës së shpejtë punuan në vendngjarje. Në një konferencë për shtyp në orën 4 pasdite të së dielës, hetuesit zbuluan se kishin arrestuar autorin e krimit. Zyrtarët konfirmojnë se nuk ka ende prova që ai të jetë i lidhur me ndonjë organizatë më të madhe.
Gjashtë të plagosurit u transportuan në spitalet lokale. Sipas kreut të policisë lokale, Stephen Redfearn, të paktën një nga të plagosurit ndodhet në gjendje kritike.
“Një sulm terrorist”, i motivuar nga urrejtja, që synon komunitetin hebre. Kështu e përshkroi drejtori i FBI-së, Kash Patel, sulmin që ndodhi dje në Boulder. “Terrorizmi nuk ka vend në vendin tonë të madh”, shkroi Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, në rrjetet sociale.
Një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë siguroi se autori i sulmit “do të ndiqet penalisht në shkallën më të plotë të drejtësisë”.
Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, gjithashtu e dënoi ashpër duke deklaruar se “terrorizmi kundër hebrenjve nuk kufizohet vetëm në kufirin e Gazës”, por “ai po konsumohet edhe në rrugët e Shteteve të Bashkuara”.
Guvernatori i Kolorado-s, Jared Polis, postoi një deklaratë në “X” duke deklaruar “Po e monitoroj nga afër situatën në Boulder dhe mendimet e mia janë me ata që janë plagosur dhe prekur nga ky akt i neveritshëm terrorizmi. Aktet e urrejtjes të çdo lloji janë të papranueshme. Ndërsa dalin detaje, shteti po punon për zbatimin e ligjit lokal dhe federal për të mbështetur këtë hetim”.
Cili është grupi “Run for their Life” Vraponi për Jetën e tyre”, që organizoi marshimin?
Sipas faqes së tyre të internetit, “Vraponi për Jetën e tyre” organizon aktivitete ecjeje dhe vrapimi në të gjithë botën duke bërë thirrje për lirimin e pengjeve izraelite të mbajtura nga Hamasi.
Ata thonë se ngjarjet e tyre nuk janë protesta, por “ecje paqësore”.
Faqja e tyre e internetit thotë se aktualisht ka 230 grupe aktive në të gjithë botën, me shumicën në Amerikën e Veriut dhe Evropë.
Grupet takohen një herë në javë për një shëtitje 1 km të veshur me bluza të kuqe. Ata gjithashtu mbajnë flamuj kombëtarë të qytetarëve që janë midis pengjeve që mbahen ende në Gaza. Llogaria e tyre në Instagram “Vraponi për Jetën e tyre” ka më shumë se 6 mijë ndjekës. Grupi i tyre në Facebook ka më shumë se 2 mijë anëtarë.
Lëvizja u nis nga një grup izraelitësh në Kaliforni, por ngjarjet lokale “udhëhiqen në mënyrë të pavarur”, sipas faqes së tyre të internetit.
Run For Their Lives, shpjegoi se “Kjo nuk është një protestë; por është një marshim paqësor për të treguar solidaritet me pengjet dhe familjet e tyre, dhe për të kërkuar lirimin e tyre”.
Grupi u mblodh në orën 13:00, në cep të rrugëve Pearl dhe 8th, pastaj eci nëpër qendrën tregtare Pearl Street dhe u kthye, duke u ndalur para gjykatës për një video.
“Jemi të trishtuar dhe me zemër të lënduar kur mësuam se një pajisje ndezëse u hodh ndaj marshuesve të lëvizjes “Run For Their Lives” në Pearl Street, ndërsa ata po kërkonin ndërgjegjësimin për gjendjen e vështirë të pengjeve që mbahen ende në Gaza”, tha komuniteti hebraik i Boulder në një deklaratë.
Ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë në aktivitetet publike.
Kujtohet se vetëm pak ditë më parë, Elias Rodriguez qëlloi drejt njerëzve që merrnin pjesë në një aktivitet në Muzeun Hebraik në Washington, duke vrarë Yaron Lischinsky dhe Sarah Milgrim, dy zyrtarë nga ambasada izraelite në Shtetet e Bashkuara. Rodriguez i tha policisë se e bëri këtë për Gazën.