Tuesday, July 22, 2025
BallinaLajmeLajmet e Fundit“Subjekti ku ndodhi aksidenti ka qenë dy herë i gjobitur”- Inspektorati reagon...

“Subjekti ku ndodhi aksidenti ka qenë dy herë i gjobitur”- Inspektorati reagon pas vdekjes së dy punëtorëve në vendin e punës në Gjakovë

Të ngjajshme

Inspektorati Qendror i Punës ka reaguar pas vdekjes së dy punëtorëve në vendin e punës në Gjakovë

Në reagimin e inspektoratit thuhet se subjekti ku ndodhi aksidenti ka qenë më herët dy herë i gjobitur nga Inspektorati i Punës për shkelje të përsëritura në këtë fushë.

REAGIM I PLOTË:

Inspektorati Qendror i Punës ka pranuar me dhimbje dhe shqetësim të thellë lajmin për aksidentin e rëndë të ndodhur më datë 21 korrik 2025 në një vendpunishte në komunën e Gjakovës, ku për pasojë kanë humbur jetën dy punëtorë, si dhe ka ndërruar jetë një tjetër person i cili më herët ishte lënduar në një aksident tjetër në vendin e punës në Pejë.

Në emër të Inspektoratit Qendror të Punës dhe në cilësinë e Drejtorit Ekzekutiv, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe më të thella për familjet e viktimave, duke ndarë dhimbjen me ta në këto momente të rënda.

Inspektorati Qendror i Punës është angazhuar me të gjitha kapacitetet e tij njerëzore dhe ligjore për të hetuar rrethanat e këtij rasti dhe për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që nuk kanë zbatuar detyrimet ligjore në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë. Ju informojmë se subjekti ku ndodhi aksidenti ka qenë më herët dy herë i gjobitur nga Inspektorati i Punës për shkelje të përsëritura në këtë fushë. Kjo e bën edhe më të papranueshëm faktin që nuk janë ndërmarrë masat e duhura për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve.

Apel për ndërgjegjësim publik dhe institucional
Duke qenë se aksidentet në vendin e punës përbëjnë një kërcënim serioz për jetën e qytetarëve, bëjmë thirrje publike për të gjithë punëdhënësit, subjektet afariste dhe institucionet relevante që të ndërmarrin masa konkrete dhe të menjëhershme për parandalimin e rreziqeve në vendin e punës, në përputhje me Ligjin për Siguri dhe Shëndet në Punë dhe aktet nënligjore në fuqi.

Ftesë për bashkëpunim dhe komunikim nga media
Inspektorati Qendror i Punës fton të gjitha mediat që të kontribuojnë në ndërgjegjësimin e përgjithshëm shoqëror, përmes informimit të drejtë dhe përhapjes së mesazheve sensibilizuese mbi rëndësinë e masave preventive në vendin e punës. Vetëm përmes bashkëpunimit të sinqertë ndërmjet institucioneve, bizneseve, organizatave dhe mediave, mund të ndërtojmë një kulturë pune të sigurt dhe dinjitoze për të gjithë qytetarët tanë.

Inspektorati Qendror i Punës do të vazhdojë me përkushtim punën e tij inspektuese dhe ligjzbatuese për të rritur nivelin e sigurisë në vendet e punës, me qëllim që tragjedi të tilla të mos përsëriten më.

Vazhdim i përpjekjeve institucionale për sigurinë në vendin e punës

Në vazhdën e përpjekjeve të pandërprera për të krijuar një ambient pune sa më të sigurt dhe dinjitoz për punëtorët në Republikën e Kosovës, Inspektorati Qendror i Punës ka ndërmarrë hapa konkretë për forcimin edhe më tej të kapaciteteve inspektuese, përmes procedurave të rekrutimit të inspektorëve të rinj.

Në këtë kuadër, është zhvilluar një procedurë për rekrutimin e 60 inspektorëve të rinj , e cila është anuluar nga ana e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Pavarësisht kësaj pengese administrative, Inspektorati Qendror i Punës nuk ka ndalur përpjekjet dhe aktualisht është në proces të për rekrutimin e 59 inspektorëve të rinj në të cilën procedurë kanë përfunduar të gjitha vlerësimet e kandidatëve.

Me shpresë dhe përkushtim të plotë, synimi ynë është që kësaj radhe të finalizohet me sukses rekrutimi, në mënyrë që të rritet prezenca dhe efikasiteti i inspektorëve në terren, dhe të përmirësohet dukshëm mbikëqyrja dhe zbatimi i legjislacionit në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.

Ps. Inspektorati Qendror i Punës në 6 Mujorin e parë:

  1. Ka kryer 4751 inspektime
  2. Ka shqiptuar 788 gjoba
  3. Kan ndodhur 268 aksidente

Ndërsa nga janari deri më sot kan ndodhur 7 aksidente me fatalitet dhe kjo është shifra zyrtare nga Inspektorati Qendror i Punës, të gjitha shifrat e tjera që ipen nga persona të tjerë të paautorizuar dhe jokompetent nuk janë të sakta dhe krijojnë pasiguri dhe dezinformojnë opinionin publikë.

- Advertisement -

Të Fundit