Sot ka ndërruar jetë njeriu që i dha shumë hendbollit dhe sportit kosovar në përgjithësi me dekada të tëra
Të mërkurën ka ndërruar jetë Hilmi Xhaferi, njeriu që për dekada të tëra ishte pjesë e hendbollit kosovar.
Xhaferi është ndarë nga jeta në moshën 66-vjeçare, ndërsa varrimi i të ndjerit bëhet të mërkurën (sot) nga ora 16:00 në varrezat e qytetit në Prishtinë.
Xhaferi ka nisur karrierën si hendbollist në klubin mitrovicas Trepça, në vitin 1968.
Ka luajtur për klubin e qytetit të lindjes në një gjeneratë me Xhelal Vitakun, Ibrahim Zhilivodën e emra të tjerë të respektuar.
I ndjeri Xhaferi ka luajtur për kohë të gjatë te Trepça e më pas karrierë si hendbollist ka bërë edhe te Ramiz Sadiku dhe te Kosova e Vushtrrisë.
Kontributin për hendbollin më pas e ka vazhduar si aktivist i këtij sporti.
Kështu në vitet nëntëdhjeta, pas pavarësimit të sportit kosovar, ishte kryetar i klubit Trepça.
Këtë post e ka mbajtur për shumë vite dhe ka dhënë kontribut të çmueshëm.
Më pas ishte drejtues te Prishtina dhe trajner për shumë vite te Kosova e Vushtrrisë (femrat).
Skuadrën nga Vushtrria e ka udhëhequr drejt shumë sukseseve, ndërsa është shpallur një vit edhe trajneri më i mirë i vitit.
Kontributi i Hilmi Xhaferit do të kujtohet gjatë në të gjitha mjediset ku ka vepruar ai.
“Me ndarjen nga jeta të Xhaferit, Federata e Hendbollit të Kosovës dhe hendbolli kosovar në përgjithësi kanë mbetur pa një figurë të respektuar.
Presidenti i Federatës tonë, Eugen Saraçini, në emër të komunitetit të hendbollit i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së respektuar Xhaferi”, shkruan në uebfaqen zyrtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës. /Gazeta Express/


