back to top
Friday, December 5, 2025
BallinaSportSot firma dhe prezantimi, zbuloni prapaskenat si De Biazi bindi Rejan

Sot firma dhe prezantimi, zbuloni prapaskenat si De Biazi bindi Rejan

Të ngjajshme

Edi Reja ishte në “Loro Boriçi” së bashku me një trajner italian, Alesandro Kalori, për të ndjekur ndeshjen e parë kualifikuese të Shqipërisë dhe sot pritet që të prezantohet si pasues i Kristian Panuçit.

Me gjithë dyshimet e deritanishme, pikëpyetjet që ka lënë ende FSHF, “Panorama Sport” mëson prapaskenën se si ish-trajneri, me të cilin kuqezinjtë arritën Europianin, ka lobuar për Kombëtaren tonë.

PRAPASKENA – Xhani De Biazi ka qenë para disa ditësh në vendin tonë, ku në një intervistë për “Panorama Sport” pranoi se ka takuar dhe drekuar për rreth 5 orë me presidentin e FSHF-së, Armand Duka. Italiani me pasaportë shqiptare, i cili shënoi pjesëmarrjen në “Euro 2016” si rekordin historik me kuqezinjtë, mësohet që të ketë biseduar edhe me trajnerin e ri të Kombëtares. Gazeta mëson nga burime të besueshme dhe të sigurta se De Biazi e ka siguruar trajnerin Reja se ajo që ka parë në Shkodër nuk është Shqipëria më e mirë. Jo vetëm kaq, por ai e ka përdorur edhe kualifikimin në Europian për ta motivuar dhe bindur 73- vjeçarin se kuqezinjtë kanë nevojë për një trajner, i cili të mund t’u japë diçka atyre për të bërë një rrugëtim pozitiv. Nga takimi në Shkodër me presidentin Duka, trajneri Reja u largua nga vendi ynë me një opinion jo fort pozitiv për ekipin, por duket që De Biazi e ka bërë “ambasadorin” e sportit edhe një herë me kuqezinjtë, duke i shuar të gjitha pikëpyetjet ish-trajnerit të Lacios, Napolit, Atalantës etj.

EDI REJA – Trajneri i ri i përfaqësueses është ende me shumë të panjohura, teksa institucioni i futbollit ka vijuar të jetë shumë diskret rreth pasuesit të Kristian Panuçit, duke dashur që çdo pikëpyetje të zbardhet vetëm gjatë konferencës për shtyp në orën 15:00. Trajneri Reja ka qenë i pranishëm në ndeshjen mes Empolit dhe Atalantës në Itali, duke nisur “de facto” punën si trajner i kuqezinjve, por për fat të keq, në fushë ka qenë vetëm Veseli, me Gjimshtitin dhe Berishën në stol. Situata me ndihmësin e tij është gjithashtu e paqartë ende. Alesandro Kalori nuk ka zgjidhur ende kontratën e tij me një skuadër italiane, ndaj mbetet për t’u parë se cili do të prezantohet si numri dy në stafin e Rejas. Gjithashtu, gazeta mëson se krahas Kalorit, një ide për të plotësuar stafin është ajo e përgatitësit atletik Luixhi Febrati, por edhe ai momentalisht bën pjesë në stafin e skuadrës përfaqësuese të Hungarisë, ndaj mbetet për t’u parë nëse do të jetë i gatshëm për t’iu bashkuar “armatës” kuqezi në vijim apo jo.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz