Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sokol Havolli, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ushtruesit të detyrës së ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, lidhur me aksidentet në autostradë.
Havolli ka thënë se, përveç akuzave për manipulim ndaj kryetarit Përparim Rama, përgjegjësia për gjendjen në rrugë bie drejtpërdrejt mbi institucionet përgjegjëse për infrastrukturën.
“Për që Rama manipulon, është e saktë, por edhe viktimat e autostradës janë përgjegjësi e jotja, Dimal. Prandaj Dimal Basha ke përgjegjësi penale, sepse vdekjet në autostrada dhe rrugë nacionale janë nga defektet e paralajmëruara shumë herë; duhet të ndiqesh penalisht”, ka deklaruar Havolli.
Ai ka shtuar se përgjegjësia nuk është vetëm morale, por sipas tij edhe penale, duke theksuar se rastet e vdekjeve në rrugë lidhen me mungesë të mirëmbajtjes dhe neglizhencë institucionale.
Deklarata e tij vjen pas reagimeve të fundit politike lidhur me aksidentin tragjik në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku vazhdojnë përplasjet mes zyrtarëve dhe përfaqësuesve politikë rreth shkaqeve dhe përgjegjësisë për ngjarjen. /Lajmi.net/