Skandal me shitjen e biletave për Kupën e Botës 2026.
Autoritetet e New York dhe New Jersey kanë hapur një hetim zyrtar ndaj FIFA-s, pas qindra ankesave nga tifozët për çmime tepër të larta dhe vende që nuk përputheshin me ato të premtuara gjatë blerjes.
Në qendër të hetimit janë ndeshjet që do të zhvillohen në stadiumin “MetLife”, ku është planifikuar edhe finalja e madhe e Botërorit më 19 korrik 2026.
Sipas mediave amerikane, prokurorët e dy shteteve kanë kërkuar dokumentacion të plotë mbi mënyrën e menaxhimit dhe shitjes së biletave.
Dyshimet lidhen me ndryshimet që FIFA bëri në kategoritë e ulëseve pasi një pjesë e madhe e biletave ishte shitur.
Shumë tifozë pretendojnë se kishin paguar për vende premium pranë fushës, por më pas janë zhvendosur në sektorë më të largët ose pas portave.
Nën hetim është edhe sistemi i “çmimeve dinamike”, ku vlera e biletave ndryshonte në varësi të kërkesës.
Raportet tregojnë se çmimet për shumicën e ndeshjeve janë rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit, duke shkaktuar reagime të forta nga tifozët dhe autoritetet.
Prokurorët amerikanë akuzojnë FIFA-n për mungesë transparence dhe krijim artificial të mungesës së biletave, përcjell balkanweb, ndërsa kërkojnë garanci që tifozët të kenë akses të drejtë dhe çmime të arsyeshme për eventin më të madh të futbollit botëror.
Ndërkohë, në tregun online të rishitjes, disa bileta për finalen e Botërorit raportohet se kanë arritur vlera marramendëse, deri në miliona dollarë.