Afaristi i njohur kosovar, Faton Seferi ka vendosur të largohet nga posti i nënkryetarit të KF Drenicës.
Përmes një letre publike, Seferi ka njoftuar se largohet me efekt të menjëhershëm nga drejtimi i klubit, duke u tërhequr njëkohësisht edhe nga marrëveshja për privatizimin dhe zhvillimin e KF Drenicës.
“Të dashur qytetarë të Drenicës, sportdashës, tifozë të FC Drenicës, anëtarë të Kryesisë, futbollistë, trajnerë, sponsorë dhe të gjithë ju që më keni qëndruar pranë gjatë këtij rrugëtimi, sot po ju drejtohem me një nga shkrimet më të vështira që kam bërë ndonjëherë. Me zemër të rënduar ju njoftoj se, me efekt të menjëhershëm, jap dorëheqje nga funksioni i Nënkryetarit të FC Drenicës dhe njëkohësisht tërhiqem edhe nga marrëveshja e synimit për privatizimin dhe zhvillimin e klubit. Ky nuk është një vendim që e kam marr në një ditë. Është rezultat i një viti plot sakrifica, përkushtim, shpresë, zhgënjim, por mbi të gjitha dashuri për Drenicën dhe njerëzit e saj”, shkroi Seferi.
Drenica, arriti të mbijetonte sezonin e kaluar në Superligë duke e mbyllur në vend të 6-të./IndeksOnline/