President i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama kishin raporte të shkëlqyera miqësore. Nga dëshira për t’u portretuar si liderët më të fuqishëm në trojet shqiptare, ndodhte që ata të gjenin kohë edhe për takime më të shpeshta të karakterit më privat. Por, flirti i Ramës me Vetëvendosjen dhe simpatia që ai ka shprehur për Albin Kurtin, siç duket, i ka zbehur raportet mes Kryeministrit Rama dhe Presidentit Thaçi. Krejt kësaj Presidenti kosovar ka vendosur t’i përgjigjet duke u afruar me Presidentin Meta, i cili e vizitoi në Prishtinë javën që shkoi.
Por, si u përkeqësuan raportet ndërmjet Thaçit dhe Ramës?
Gazeta Express mëson se gjithçka ka nisur pas zgjedhjeve të fundit, kur koalicioni PDK-AAK-Nisma po i kërkonte Behgjet Pacollit që të bëhej bashkë me ta për formimin e Qeverisë. Në të njëjtën kohë, Pacolli po takohej edhe me Kurtin për formimin e një aleance, që bashkë me LDK’në do të bënin shumicën.
Burime të Gazetës Express thonë se pikërisht tentimi për të krijuar marrëveshje në skenën politike kosovare ishte shkak i ftohjes së raporteve mes Edi Ramës e Hashim Thaçit, që filloi kur ky i fundit i kërkoi kryeministrit të Shqipërisë ta luante ndërmjetësuesin pas zgjedhjeve e të fliste me Pacollin, që nuk po bindej.
Kjo është edhe pika ku Presidenti i Kosovës u zhgënjye me mikun e tij, Ramën.
Rama ishte takuar disa herë me Pacollin, por, sipas burimeve të Express, ai nuk i kishte thënë të bashkohej me PAN, përkundrazi për kryeministrin shqiptar, Pacolli do të bënte më mirë sikur të arrinte marrëveshje me Kurtin.
Lëvizja Vetëvendosje ka raporte të mira me Partinë Socaliste kaherë. Vitin e kaluar, kur socialistët e Shqipërisë mbajtën Kongesin e Partisë, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca ishin të vetmit politikanë të ftuar nga Kosova.
Madje, ata në kongres u priten nga aktivisti i VV’së, Boiken Abazi, të cilin Policia e Kosovës e kishte larguar me forcë nga shteti./Gazetaexpress/