Pasi dështuan përmes ekstradimit, autoritetet kosovare përmes deportimit po i binden kërkesës së Presidentit turk Erdogan, që t’ia dorëzojë në Turqi mbështetësit e Fetullah Gulenit, që ndodhen në Kosovë
Pesë shtetas turq janë arrestuar mëngjesin e të enjtes. Derisa, aksioni i policisë ndaj të tjerë shtetas turq që ndodhen në Kosovë po vazhdon, dhe janë vënë në kërkim të tyre, Ministria e Brendshme u ka revokuar të arrestuarve leje qëndrimin në Kosovë.
Arsyetimi i MPB-së për pesë shtetasit turq që drejtojnë një rrjet shkollash të njohur në Kosovë, “Mehmet Akfif”, ka qenë gjoja për arsye të sigurisë, por pa dhënë më shumë informacione.
Të arrestuarit, deportimi i të cilëve po pritet të bëhet, janë Mustafa Erdem, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Cihen Ozkan dhe Hasan H. Gunakan.
Gazeta Express ka siguruar lejeqëndrimet e këtyre personave, në të cilat shihet se kanë afat. Madje, disave prej tyre koha e skadimit u shënon deri në vitin 2023.
Vetëm shtetasi turk Erdem Mustafa, sipas lejeqëndrimit ka pasur në prag skadimin e dokumentit. Lejeqëndrimi i tij do të bëhej i pavlefshëm te javën e ardhme, më 06 prill 2018. Por, sipas dokumenteve tjera përcjellëse del se ai ka kryer procedurat për vazhdimin e qëndrimit në Kosovë, dhe është në pritje të dokumentit të ri.
Këta drejtues të institucioneve shkollore turke në Kosovë, janë identifikuar nga Turqia si mbështetës të Fetullah Gulenit, kundërshtarit të Presidentit Erdogan. /GazetaExpress/